×
Friday, October 11, 2024

Konferenca Sfidat e Sistemit të Prokurimit Publik, Myzyri: Shqipëria është kthyer në promotore të një standardi të ri të shqyrtimit të ankesave në rang rajonal

May 27, 2022


Komisioni i Prokurimit Publik organizoi sot konferencën me temë: “Sfidat e Sistemit të Prokurimit Publik në Republikën e Shqipërisë”.

Në fjalën e tij Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri tha se kjo konferencë, e kthyer tashmë në një traditë vjetore nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik, këtë vit është mbështetur dhe organizuar në bashkëpunim me SIGMA-OECD, duke u konceptuar si një hapësirë e re diskutimi dhe debatimi në nivel teknik i problematikave të prokurimit publik.

Sipas tij, sfidat me të cilat përballet prokurimi publik në Shqipëri nuk janë shumë të ndryshme nga ato me të cilat përballen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndaj sot kemi gjithnjë e më shumë nevojë, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të ndajmë eksperiencat dhe të shkëmbejmë, përse jo nga praktikat më të mira.

“Prokurimi publik është një nga fushat kryesore të veprimtarisë shtetërore dhe një nga proceset më të rëndësishme në menaxhimin e financave publike. Si një disiplinë e veçantë, sot më shumë se kurrë, përballë dhe sfidave që paraqiten para vendit, çështjet e prokurimit publik më shumë se sa në nivelin politik, kanë nevojë të diskutohen në nivel teknik, të evidentohen problematikat dhe të propozohen zgjidhje, të cilat japin një impakt të rëndësishëm në sistem”, tha Myzyri.

E pranishme në këtë konferencë ishte dhe Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, përfaqësues nga Delegacioni i BE në Shqipëri, përfaqësues nga OECD/SIGMA etj.

Fjala e plotë i Kryetarit të KPP, Jonaid Myzyri:

Është sa emicionuese, po aq edhe frymëzuese të jemi sot të mbledhur mbi 300 praktikues dhe lider të prokurimit publik në Shqipëri, në prezencë në sallë dhe online, në konferencën Mbi Sfidat e Prokurimit Publik në Shqipëri.

Kjo konferencë, e kthyer tashmë në një traditë vjetore nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik, këtë vit është mbështetur dhe organizuar në bashkëpunim me SIGMA-OECD, duke u konceptuar si një hapësirë e re diskutimi dhe debatimi në nivel teknik i problematikave të prokurimit publik.

Më lejoni të përfitoj nga ky rast, për të ripërsëritur mirënjohjen e Komisionit të Prokurimit Publik, për kontributin e qenësishëm të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe të SIGMA-OECD, në lidhje me ngritjen e kapaciteteve të institucionit tone, si dhe për mbështetjen në reformën në prokurimet publike.

Opinionet e dhëna nga Ju konsiderohen si një garanci themelore për qëndrueshmërinë e legjislacionit dhe praktikave institucionale.

Gjithashtu, sot këtu me ne, kemi nderin të pranishëm online edhe kolegë të Komisionit Shtetëror për Mbrojtjen e të Drejtave në Procedurat e Prokurimit Publik të Republikës së Malit të Zi.

Sfidat me të cilat përballet prokurimi publik në Shqipëri nuk janë shumë të ndryshme nga ato me të cilat përballen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndaj sot kemi gjithnjë e më shumë nevojë, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të ndajmë eksperiencat dhe të shkëmbejmë, përse jo nga praktikat më të mira.

Prokurimi publik është një nga fushat kryesore të veprimtarisë shtetërore dhe një nga proceset më të rëndësishme në menaxhimin e financave publike. Si një disiplinë e veçantë, sot më shumë se kurrë, përballë dhe sfidave që paraqiten para vendit, çështjet e prokurimit publik më shumë se sa në nivelin politik, kanë nevojë të diskutohen në nivel teknik, të evidentohen problematikat dhe të propozohen zgjidhje, të cilat japin një impakt të rëndësishëm në sistem.

Objektivi kryesor i sistemit të rishikimit të prokurimit publik dhe mjeteve juridike është të aplikojë zbatimin praktik të legjislacionit të prokurimit publik duke siguruar, që shkeljet e këtij legjislacioni dhe gabimet e autoriteteve/enteve kontraktore të korrigjohen në mënyrë efiçente dhe efikase.

Qëllimi i kësaj konference është të ndihmojë autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë të mos përsërisin të njëjtat gabime dy here, duke rritur eficencën, efikasitetin, sigurimin e integritetit dhe besimit publik në procedurat e prokurimit publik.

Gjatë vitit 2021, Komisioni i Prokurimit Publik në ushtrimin e veprimtarisë së tij, ka konstatuar problematika të ndryshme të sistemit të prokurimit, ka bashkëpunuar ngushtësisht me Agjencinë e Prokurimit Publik dhe institucionet e tjera përkatëse për zgjidhjen e tyre.

Megjithatë, nuk mund të harrojmë që viti 2021 ishte një vit shumë i rëndësishëm për sistemin e prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht në tri aspekte.

Së pari, viti që lamë pas ishte një vit shënues dhe kthese, për mënyrën e ofrimit të shërbimeve nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik. Projekti i digjitalizimit të plotë të shërbimeve, i nisur në vitin paraardhës, u arrit të finalizohej me sukses. Nga tetori i vitit të kaluar, të gjithë operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj, kanë mundësinë të dorëzojnë elektronikisht ankesat dhe argumentet e tyre si dy shërbime të veçuara në platformën unike qeveritare E-Albania, duke zeruar kostot ekstra dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me çdo zyrë shteti, përfshirë dhe vetë Komisionin e Prokurimit Publik. Sistemi mundëson edhe nënshkrimin elektronik, duke shmangur nevojën e printimit të dokumenteve voluminoze dhe nënshkrimit të akteve, veprimtari e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejte në mbrojtjen e mjedisit.

Sistemi shoqërohet me një faqe të re zyrtare të Komisionit të Prokurimit Publik, e cila mundëson aksesueshmëri të plotë të vendimmarrjes në tri regjistra publikë, atë të ankesave, vendimeve dhe historikut të vendimeve. Çdo subjekt i interesuar, jo vetëm që disponon informacion të plotë në lidhje me të gjithë veprimtarinë, por ka mundësi, që përmes motorëve të kërkimit të Smart Search, të kërkojë pa humbur kohë informacionin e nevojshëm.

Vizioni ynë ishte i qartë që në pikënisjen e tij. KPP-ja duhet të ofrojë informacion në kohë reale për të gjithë, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuar në shikim: verbëri, verbëri ngjyrash, rezolucion të ulët në shikim. Një motor i posaçëm aksesimi është implementuar në faqen tonë zyrtare, shërbim i ofruar për herë të parë nga një institucion publik në Shqipëri.

Ne, jo vetëm që kemi vendosur të jemi transparentë, por nivelin e transparencës ta përkthejmë në standardin më të mirë ndërkombëtar që është sot për sot në fushën e prokurimeve, atë të Open Contracting Partnership.

Të vendosësh në standard të hapur të gjithë vendimmarrjen e institucionit nuk është e lehtë dhe jo të gjithë do të jenë të kënaqur, por ne jemi të ndërgjegjshëm, se kjo është rruga e vetme për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik: Të jetë i hapur, transparent dhe të mundësojë akses të plotë të veprimtarisë së tij.

Kjo reformë dhe kjo politikë kaq e rëndësishme publike, me një impakt të drejtpërdrejtë social në të gjitha grupet e interesit, nisur nga një institucion i vogël, por hallkë tepër e rëndësishme në zinxhirin e prokurimit, nuk do të kishte qenë kurrsesi e mundur pa mbështetjen e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Kësisoj, Shqipëria është kthyer në promotore të një standardi të ri të publikimit të veprimtarisë së organit shqyrtues të ankesave në rang rajonal dhe më gjerë.

Që në krye të herës jemi kujdesur, që ky sistem të ndërtohet në konsultim të përbashkët me biznesin, ndaj për më shumë se një muaj kemi qenë në çdo qark, për të trajnuar falas mbi 1000 operatorë ekonomikë dhe autoritete kontraktore, me mbi 24 orë trajnimi.

Ndaj, më lejoni të falenderoj Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë që ka mbështetur në cdo hap këtë reformë dhe ka qenë një urë e rëndësishme lidhëse mes nesh dhe komunitetit të biznesit pa të cilën kjo reformë nuk mund të ishte implementuar me sukses.

Sot, më shumë se 40 % e ankesave paraqiten në formë elektronike dhe trajtohen po në rrugë elektronike, ndaj ne nxisim më shumë se kurrë operatorët ekonomikë, të jenë përdorues aktivë të sistemit tonë, të kenë besim në digjitalizimin e shërbimeve, si rruga e duhur e uljes jo vetëm e kostove të drejtëpërdrejta dhe ato mjedisore, por edhe shmangien e çdo kontakti me çdo zyrë përfshirë dhe atë të Komisionit të Prokurimit Publik.

Por këtu nuk përfundon reforma e digjitalizimit të shërbimeve. Sot, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, kemi punuar dhe tashmë është publikuar gara për fazën e dytë të sistemit, duke përfshirë mundësinë e ndërlidhjes me sistemin gjyqësor, ndërlidhjen me sistemin financiar për efekt të kryerjes më shpejt të veprimeve të kthimit të tarifave financiare, automatizimin e procesit të votimit të anëtarëve, si edhe regjistrimin audio të seancave dëgjimore.

Gjithashtu, synojmë që gjatë këtij viti, të digjitalizojmë edhe arkivin e 10 viteve punë të Komisionit, duke nisur nga 2010 deri në 2020 në mënyrë që informacioni të jetë lehtësisht i përpunueshëm në JSON jo vetëm nga 2021, por nga historiku i këtij institucioni.

Synojmë që informacioni i publikuar, të jetë lehtësisht i përpunueshëm nga të gjitha grupet e interesit dhe që t’ju shërbejë në punën tuaj të përditshme.

Reforma e digjitalizimit është ndërlidhur edhe me reformën e forcimit të kapaciteteve të Institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik. Në zbatim të rekomandimeve, si të Kuvendit të Shqipërisë ashtu edhe të Komisionit Europian, falë edhe mbështetjes së Kuvendit, KPP-ja në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, hartoi një kurrikul të posaçme trajnimi për zyrtarët e KPP-së. Për më shumë se 196 orë, stafi i Komisionit është trajnuar intensivisht nga pedagogët e tri fakulteteve kryesore në vend.

Së dyti, hyrja në fuqi e ligjit të ri për prokurimin publik, ka sjellë një moment të rëndësishëm për sistemin në tërësi. Ligji i ri ka sjellë ndryshime thelbësore materiale dhe procedurale, ndaj dhe përgjegjësia e Komisionit të Prokurimit Publik ka qenë edhe më e lartë në vendosjen e praktikave të konsoliduara.

Së treti, viti i kaluar ka qenë një vit i rëndësishëm edhe për vlerësimin në aspektin ndërkombëtar të prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht të punës së Komisionit të Prokurimit Publik. Në raportin e SIGMA-OECD për “Reformat e mirëqeverisjes dhe Administrimit Publik”, për vitin 2021 theksohet, se performanca e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) është përmirësuar ndjeshëm, ku fokusi vendoset te sistemi i ri i apelimit elektronik, rritja e shpejtësisë së vendimmarrjes dhe faqja e re ëeb-it.

Kështu, në raportin e vitit 2021, sistemi i trajtimit të ankesave në Shqipëri, ka marrë vlerësimin maksimal 5/5, vlerësim i rritur ndjeshëm në krahasim me vlerësimet e viteve paraardhëse.

Janë vlerësuar pozitivisht disa indikatorë si: rritja e shpejtësisë në vendimmarrje; ulja e numrit të ankesave të shqyrtuara jashtë afatit; cilësia e vendimmarrjes; efikasiteti i sistemit të trajtimit të ankesës, etj.

Gjatë vitit të kaluar, nga 5079 procedura të publikuara në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, janë administruar 768 ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nga të cilat, 3 prej tyre për procedura ankandi, 1 lidhur me lejet minerare, 2 ankesa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 762 për procedurat e prokurimit publik, të cilat përbëjnë 9.2 % të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar.

Në total pranë Komisionit të Prokurimit Publik, janë paraqitur ankesa për 566 procedura unike.
Gjithashtu, me ndryshimet ligjore, operatorët ekonomikë legjitimohen për të paraqitur ankesë për herë të parë në dhjetë vitet e fundit pranë Komisionit të Prokurimit Publik edhe për procedurat e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Megjithëse, gjatë vitit 2021, janë publikuar 1361 procedura prokurimi më pak se në vitin 2020. Vihet re një rritje e lehtë e numrit të ankesave të paraqitura pranë Komisionit të Prokurimit Publik me 27 ankesa ose një rritje me 3.7 % të numrit të ankesave.

Rritja e numrit të ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik, lidhet kryesisht me dy faktorë: ndryshimi i ligjit për prokurimin publik, i cili hyri në fuqi më datë 31 mars të vitit 2021, duke sjellë ndryshime thelbësore në aspektin material, si edhe ndryshimet ligjore në aspektin procedural të paraqitjes së ankesave.
Nga 768 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) ankesa, 298 prej tyre ose rreth 38.8 %, janë ankesa të paraqitura për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit dhe 470 ankesa ose rreth 61.2 % e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.
Nga numri total i ankesave të paraqitura gjatë vitit 2021, prej 768 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) ankesa në total, janë pranuar 327 (treqind e njëzet e shtatë) ankesa, nuk janë pranuar 343 (treqind e dyzet e tre), nuk janë marrë në shqyrtim 31 (tridhjetë e një) ankesa; është mbyllur çështja për 54 (pesëdhjetë e katër), si dhe ka përfunduar procedimi administrativ për 21 (njëzet e një) prej tyre.
Gjatë vitit 2021, numri total i autoriteteve kontraktore për të cilat është paraqitur ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik është 223 (dyqind e njëzet e tre), ndërkohë që numri i operatorëve ekonomikë ankimues është 283 (dyqind e tetëdhjetë e tre).
Gjatë vitit 2021, Komisioni është shprehur me 676 vendime përfundimtare, me një kohë mesatare të trajtimit të ankesave prej 17 ditësh, ndërkohë numri i ankesave të trajtuara jashtë afatit ligjor, ka rënë me 50 % nga viti paraardhës, me treguesit më të mirë në dhjetëvjecarin e funksionimit të tij.

Konkretisht, në dy indikatorë tepër të rëndësishëm të matjes së punës së Komisionit të Prokurimit Publik, atë të kohës mesatare të shqyrtimit të ankesave dhe të ankesave të trajtuara jashtë afatit, ka një përmirësim të ndjeshëm krahasuar edhe me vitin 2020, konkretisht nga 20 ditë në vitin 2020 në 17 ditë në vitin 2021 dhe nga 22.1 % e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit ligjor në 2020 në vetëm 10.8 % në vitin 2021.

Në këtë periudhë KPP-ja, ka marrë tri masa administrative gjobë për titullarët e autoriteteve kontraktore, ka dërguar për hetime të mëtejshme tri çështje pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe për hetime administrative njëmbëdhjetë çështje pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.

Për herë të parë në dhjetëvjeçarin e fundit, KPP-ja është shprehur edhe me vendime interpretuese, duke publikuar njëherazi në faqen zyrtare dhe buletinet periodike, për të gjithë operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, njoftime mbi praktikën vendimmarrëse në çështje specifike, me rëndësi për sistemin dhe me synim shmangien e përsëritjes së problematikave të konstatuara.

Nga muaji korrik i vitit të kaluar, të gjithë operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore njoftohen me një buletin mujor të vepritmarisë së institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik.

Qëndrueshmëria dhe ligjshmeria e vendimmarrjes së Komisionit është konfirmuar edhe nga Gjykata administrative, si në drejtim të numrit më të ulët të padive të paraqitura kundër vendimeve të Komisionit krahasuar me 2 % më pak me vitin e e mëparshme, pra vetëm 7.8 % e vendimeve janë ankimuar në Gjykatë, gjithashtu edhe Gjykata ka pranuar me një vendim jo përfundimtar rreth 11% të padive.

Por le të rikthehemi tek qëllimi i kësaj konference, cilat kanë qenë problematikat e trajtuara nga KPP gjatë vitit të kaluar?
Çështjet që janë trajtuar në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit 2021 kanë pasur të bëjnë me:
(i) Aplikimin e rregullave për përcaktimin e fondit limit;
(ii) Mënyrën e hartimit të specifikimeve teknike
(iii) Mënyrën e hartimit të kërkesave dhe dokumenteve provuese në lidhje me kriteret e kualifikimit;
(iv) Mënyrën e hartimit të kritereve të përcaktimit të ofertues fituese;
(v) Vendosjen e kërkesave të tepërta, të panevojshme ose jo në proporcion me natyrën, volumin dhe me objektin e prokurimit, për certifikime e akreditime kombëtare ose ndërkombëtare;
(vi) Skualifikime apo kualifikime të padrejta dhe të pabazuara në ligj dhe në rregullat e prokurimit të operatorëve ekonomikë;
(vii) Mosrespektim të rregullave për njoftimet, afatet dhe procedurat e kualifikimit dhe përzgjedhjes;
(viii) Veprimet procedurale të administrimit dhe kryerjes së vlerësimit dhe testimit të mostrave nga ana e autoriteteve kontraktore
(ix) Veprimet e autoriteteve kontraktore në drejtim të konstatimit dhe vlerësimit të ofertave të dorëzuara si anomalish të ulëta.
(x) Mosrespektimi i periudhës së pritjes nga autoritetet kontraktore

Nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për informimin e operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve kontraktore, me anë të publikimit në faqen zyrtare të procedurave të ankimit referuar ligjit nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, ashtu edhe me publikimin e njoftimit, për marrjen e vendimeve interpretuese në përputhje me nenin 24 pika 3 të ligjit nr.162/2020 “Për prokurimin publik”.

Gjithashtu, Komisioni i Prokurimit Publik ka hartuar në mënyrë periodike buletine mujore të veprimtarisë, në të cilat ka pasqyruar edhe problematikat e konstatuara në vendimmarrje.

Nga analizimi i problematikave të mësipërme, në konkluzion do të doja të veccoja tri çështje me rëndësi për prokurimin publik, të cilat kanë qenë ndër vite emërues i përbashkët i sfidave të sistemit.

• E para lidhet me ngritjen e një trupe zyrtarësh të prokurimit publik të certifikuar.

Sfidat që ndan sistemi i prokurimit publik në tërësi dhe Komisioni i Prokurimit Publik, bashkohen në një, ajo e forcimit të kapaciteteve dhe elementeve njerëzore, të zyrtarëve të prokurimit dhe të çdo zyrtari, që shqyrton procedurat e prokurimit, qoftë organ administrativ apo organ gjyqësor.

Çdo reformë institucionale dhe funksionale nuk do të kishte kuptim pa prekur thelbin e saj, elementin njerëzor. Një trupë zyrtarësh prokurimi të certifikuar pranë autoriteteve kontraktore, operatorëve ekonomikë, organeve të shqyrtimit të prokurimit, do të sillte një impakt të qenësishëm në sistemin e prokurimit në Shqipëri.

Nxitja e trajnimeve, si për zyrtarët e prokurimit publik edhe për punonjësit e operatorëve ekonomikë është një nevojë e rëndësishme për të përballuar sfidat me të cilat ndeshet prokurimi në Shqipëri.

Vlerësojmë, se hartimi i një kurrikule të posaçme trajnimi dhe një nivel certifikimi specifik për zyrtarët e prokurimit, njësinë/zyrtarin e prokurimit, komisionin e vlerësimit të ofertave/zyrtarin e vlerësimit të ofertave, si edhe menaxherin e kontratave publike, do të sillte ndikim të rëndësishëm në sistemin e prokurimit, përse jo që profesioni i zyrtarit të prokurimit të rregullohej edhe me ligj.

Mund të jetë një ndër reformat më të rëndësishme dhe të thella, e cila duhet të shoqërohet me një analizë të thelluar të kësaj politike publike, por vlerësojmë se është momenti për të hedhur hapat e parë.

Shqyrtimi gjyqësor i vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik dhe praktika gjyqësore krahas asaj administrative, luan një rol të rëndësishëm për sistemin e prokurimit publik në tërësi, ndaj, fuqizimi i kapaciteteve dhe njohurive të thelluara duhet të shtrihet përtej organeve administrative, por edhe tek organet gjyqësore, veçanërisht gjykatat administrative.

• Së dyti, krijimi dhe konsolidimi i standardeve kombëtare në prokurimin publik

Gjatë vitit 2021, është konstatuar një numër i lartë i ankesave në procedurat e prokurimit publik, në lidhje me dokumentet e procedurave të prokurimit. Disa prej këtyre ankesave lidhen gjithashtu edhe me mënyrën e hartimit të specifikimeve teknike për procedura specifike.

Komisioni i Prokurimit Publik ka konstatuar një numër të ulët ankesash në drejtim të mallrave, ku specifikimet teknike rregullohen me standardin kombëtar në fuqi.

Ndaj, propozojmë nxitjen e hartimit të Standardeve Kombëtare (SSH) për grup mallrash me përdorim të përgjithshëm, të cilat do të ndikonin në sistem, në drejtim të mënyrës së hartimeve të specifikimeve teknike nga ana e autoriteteve kontraktore.

Së treti, me rëndësi shfaqet edhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve të përfshira në procedurat e prokurimit publik dhe Autoritetit të Konkurrencës. Nxitja e konkurrencës në procedurat e prokurimit është më shumë se sa një parashikim ligjor, është qëllimi dhe fryma që duhet të shoqërojë një procedurë prokurimi. Evidentimi i marrëveshjeve të ndaluara në procedurat e prokurimit nuk është një ushtrim i lehtë.

Më shumë sesione trajnimi për të gjitha subjektet nga Autoriteti i Konkurencës, si edhe hartimi i një manuali të ri të sinjaleve të marrëveshjeve të ndaluara në prokurimet publike, vlerësojmë se do të shërbentë në sistemin e prokurimit publik në tërësi.

Unë ju falenderoj sërish për pjesëmarrjen dhe për interesin e lartë dhe ju ftoj të vijojmë debatin në nivel teknik edhe në dy panele të posaçme, që nisin menjehëre pas përfundimit të sesionit të parë.

Ne jemi shumë të interesuar, për të dëgjuar nga gjithësecili prej jush, mbi impaktin që ka pasur sistemi i ankesave elektronike, faqja e re e uebit dhe buletini i njoftimeve mujore dhe se si ne mund t’i përmirësojmë këto sisteme për të qenë sa më pranë grupeve të interesit. Ndaj, nga sot, në faqen zyrtare të KPP-së do të gjeni tre pyetësorë të hapur.

Në emër të Komisionit të Prokurimit Publik, garantojmë të gjitha grupet e interesit, se do të vijojmë në lartësinë e kërkuar nga ligji dhe të besuar nga Kuvendi, për të mbrojtur interesat e ligjshëm, si një organ që qëndron mbi palët dhe me emërues të përbashkët, pasionin për të punuar me paanshmëri, ligjshmëri, shpejtësi dhe efiçencë.




Comments are closed.