Komisioni i Punëve të Jashtme të PE miraton rekomandimet për Ballkanin Perëndimor
Komisioni për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) miratoi sot Raportin e Parlamentit Evropian mbi Rekomandimet për Këshillin, Komisionin dhe Zëvendës Presidentin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Siguri në Ballkanin Perëndimor përpara Samitit të vitit 2020. Raporti, i hartuar nga eurodeputeti Tonino Picula (S&D) u miratua në distancë, me 57 vota pro, pesë abstenime dhe shtatë kundër.
Ndër rekomandimet janë kriteret për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile si një lojtar të rëndësishëm në konsolidimin demokratik.
“Raporti i miratuar sot nga Parlamenti Evropian pavarësisht vonesave për shkak të koronavirusit është një mesazh i qartë i mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet dhe aktivitetet e tyre me qëllim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian pas përmbushjes së kritereve. Kjo është një shenjë e qartë e mbështetjes sonë për vazhdimin e procesit të zgjerimit në tërësi, për të cilën ne i kemi dhënë besueshmëri me këtë raport. Zgjerimi është një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian përgjatë ekzistencës së tij dhe mjetit më të fuqishëm të politikës së jashtme për promovimin e demokracisë, prosperitetit dhe paqes. Politika e zgjerimit është gjithashtu një parakusht për forcimin e pranisë së BE-së dhe interesave strategjike në Ballkanin Perëndimor, kjo është arsyeja pse është interesi ynë i përbashkët “, tha Picula, i cili përveç rolit të tij si Raportues për Rekomandimet, shërben edhe si koordinator i Grupi Parlamentar i Socialistëve dhe Demokratëve në AFET, si dhe raportuesi për Instrumentin Financiar IPA III për Ndihmën e Para-Anëtarësimit dhe për Malin e Zi.
Samiti BE-Ballkan Perëndimor ishte planifikuar të zhvillohej në 6-7 maj në Zagreb, por u shty për një datë të mëvonshme për shkak të COVID-19. Ky takim mund të zhvillohet edhe nëpërmjet një video-konference.
Një nga rekomandimet e Raportit lidhen me metodologjia e përmirësuar të negociatave, për të mundësuar një anëtarësim të plotë në BE si qëllimin e saj përfundimtar dhe që BE të sigurojë rregulla dhe kritere të qarta dhe të parashikueshme dhe t’i zbatojë ato në mënyrë të vazhdueshme, duke rikthyer besueshmërinë e saj.
Gjithashtu, rekomandohet që grumbullimi i kapitujve negociues të theksojë thellësinë dhe cilësinë e reformave në vendet kandidate, të japë rezultate konkrete në vendet kandidate gjatë negociatave në fusha të shumta.
Për më tepër, Raporti rekomandon të sqarohen kriteret për përparimin në rrugëtimin drejt BE-së, si dhe të sigurohet mbështetje e vazhdueshme gjatë gjithë procesit të negociatave.
Është shumë e nevojshme të sigurohen stimuj të qarta politike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’u mundësohen atyre të marrin pjesë në politika dhe programe sektoriale të BE-së para anëtarësimit të plotë, përmes mbështetjes financiare të synuar, në mënyrë që qytetarët të ndiejnë përfitimet e prekshme të anëtarësimit në BE.
Në dokument gjithashtu sugjerohet rritja e bashkëpunimit midis Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të vendeve kandidate. Për të siguruar që reformat në vendet kandidate të jenë të qëndrueshme, mekanizmi i kushtëzimit duhet të forcohet në mënyrë që procesi i negociatave bazuar në kritere objektive të mund të pezullohet edhe në rast mosrespektimi.
Demokracia dhe sundimi i ligjit duhet të jenë në zemër të procesit të zgjerimit, që do të thotë se kapitujt mbi gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ato për respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mediave do të jenë nën lupën e kontrollit nga ana e Komisionint Evropian.
“Bashkimi Evropian gjithmonë ka treguar forcë në kohë sfiduese,” komentoi Picula për rrethanat e Raportit, duke shtuar se, me pranimin e anëtarëve të rinj dhe me reformën e saj, Unioni duhet të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
Eunews.al