Prokurimi Publik Në Qendër të Diskutimeve në Tiranë, Myzyri: Sot, KPP rreshtohet në krahë të organeve shqyrtuese të prokurimit të Evropës Juglindore
Komisioni Evropian, DG Grow për Tregun e Brendshëm, Industrinë, Sipërmarrjen dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, në bashkëpunim me Komisionin e Prokurimit Publik, organizon për herë të parë në Tiranë, në datat 17, 18 dhe 19 Prill 2024, një seri aktivitetesh të rëndësishme për prokurimin publik në Shqipëri dhe në nivelin evropian.

Gjatë kësaj ngjarje të rëndësishme, do të mbahen tre workshope të përqendruara në prokurimin elektronik, e-forms, hapësirën e të dhënave të prokurimit publik dhe takimin e 21-të të Grupit të Ekspertëve Shumëpalësh për Prokurimin Elektronik (EXEP). Pjesëmarrësit e këtij workshopi përfshijnë deputetë të rëndësishëm, përfaqësues nga Prezenca e Bashkimit Evropian në Tiranë, Agjencia e Prokurimit Publik, AKSHI, OCP, Sigma OECD dhe BERZH.
Në ditën e parë të workshopit “Prokurimi Elektronik në Shqipëri”, figura kyçe në politikën dhe praktikën e prokurimit publik ndanë perspektivat e tyre në lidhje me sfidat dhe mundësitë në këtë drejtim. Paneli u fokusua në lidhjen midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e rëndësisë së prokurimit publik për integritetin e procesit të integrimit.
Një fjalë përshëndetëse për të pranishmit mbajti dhe Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, z. Jonaid Myzyri, në këtë event të rëndësishëm për Shqipërinë, por dhe për vet Komisionin e Prokurimit Publik në veçanti, ku theksoj se:
“Në emër të Komisionit të Prokurimit Publik të Shqipërisë dhe në emrin tim personal më lejoni T’Ju uroj mirëseardhjen në Tiranë të përfaqësuesve të fortnderuar të Komisionit Evropian dhe të shpreh falënderimin e thellë dhe mirënjohjen e pa kushtëzuar që besuat Shqipërinë dhe Komisionin e Prokurimit Publik të bashkë organizojmë tre evente të rëndësishme për prokurimin publik në Shqipëri dhe në Evropë.
Ne jemi të nderuar që sot, Tirana është kthyer në forumin më të madh dhe të rëndësishëm ku për tre ditë rresht do ndajmë së bashku, Shqipëri dhe BE, vend anëtarë dhe vende kandidate vizionin tonë për prokurimin publik përmes workshopit të dedikuar Shqipërisë, Workshopin e 6-të mbi E-Forms, Public Procurement Data Space dhe mbledhjen e 21-të të grupit të ekspertëve të prokurimit EXEP.
Prokurimi publik është një nga fushat kryesore të veprimtarisë shtetërore dhe një nga proceset më të rëndësishme në menaxhimin e financave publike. Sikundër tregohet edhe nga shifrat dhe të dhënat e përpunuara në këtë kuadër, fondi buxhetor i shpenzuar për prokurime publike në Shqipëri dhe BE shkon midis 12-14.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndaj mënyra e zhvillimit të procedurave të prokurimit, rregullat, transparenca dhe aksesuseshmëria jo vetëm në prokurim por edhe në mjetet e rishikimit administrativ merr një rëndësi të vecantë.
Përpjekjet e Shqipërisë për një prokurim të hapur dhe të qëndrueshëm nisin që në vitin e parë të themelimit të shtetit shqiptar, 112 vitë më parë, ndërkohë duke filluar nga 26 korriku 1995 e deri më sot, parlamenti i Republikës së Shqipërisë ka miratuar 3 ligje për prokurimet publike si dhe i është dashur t’i amendoj plot 15 herë këto ligje.
Katërmbëdhjetë vite më parë, hynë në fuqi dhe dispozitat kalimtare të ligjit Nr. 10170, datë 22.10.2009, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar dhe Komisioni i Prokurimit Publik nisi të jetë organi i ri i shqyrtimit të ankesave për procedurat e prokurimit për operatorët ekonomik vendas dhe të huaj.
Pikërisht këtu nisi edhe rrugëtimi plot sfida dhe përpjekje të përditshme i Komisionit të Prokurimit Publik, për t’u ngritur në nivelin e kërkuar nga Kushtetua, ligji, dhe direktivat, për të qenë një organ shqyrtues, i hapur, transparent dhe efikas.
Sfidat shumëdimensionale të përballuara nga Komisioni i Prokurimit Publik në këtë rrugëtim 14 vjeçar, nuk kanë qenë të ndryshme nga ato të vetë sistemit të prokurimit publik në Shqipëri.
Nga shpejtësia në procesin e shqyrtimit të ankesave, në ligjshmërinë dhe qëndrueshmërinë e plotë, në vendimmarrje, ankesat në rrugë shkresore, në ato digjitale, janë disa prej momenteve që të gjithë ne së bashku si Komision dhe ju si grupe interesi kemi mësuar shumë nga njëri-tjetri dhe jemi përpjekur të përmirësohemi në proceset tona të punës, me një motiv të vetëm, përmirësimin e sistemit të rishikimit administrativ në prokurimin publik.
Digjitalizimi në krye të herës është parë nga shumë shtete por edhe nga Shqipëria si një mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e aksesit dhe cilësisë së ofrimit të shërbimeve.
Ndaj ne si Komision i Prokurimit Publik në vetëm pak vite kemi ndjerë ndryshimet thelbësore të sjelljes të të gjithë grupeve të interesit në prokurim publik falë proceseve digjitale.
Falë bashkëpunimit me të gjithë grupet e interesit dhe me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, kemi mundur të digjitalizojmë tërësisht procesin e ankimit administrativ, duke shndërruar në detyra digjitale çdo parashikim ligjor, nga dorëzimi, komunikimi dhe shqyrtimi i ankesave, duke iu kursyer operatorëve ekonomikë mbi 150 mijë kilometra rrugë në vit, radhë kilometrike në banka dhe shërbim postar, dyer që mbylleshin dhe mijëra faqe të printuara dhe letra dërguar institucioneve.
Shpejtësia në vendimmarrje është rritur dhe vetëm 9.4% e ankesave shqyrtohen jashtë afatit nga 22.2 %, 4 vite më parë, ndërkohë që koha mesatare e shqyrtimit të ankesave është ulur në 10 ditë nga ardhja e informacionit të autoritetit kontraktor nga 30 ditë të kërkuara nga ligji. Qëndrueshmëria në vendimmarrje konsolidohet çdo ditë edhe falë numrit të ulët të padive me 4.4 % nga 10 %, 4 vite më parë. Për herë të parë në 14 vite, KPP publikon vendimmarrjet interpretuese, ku vetëm në vitin e kaluar janë mbi 50 të tilla, për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë në procesin e dorëzimit dhe shqyrtimit të ankesave të hartuar në konsultim të ngushtë me SIGMA-OECD.
Dy manuale të posaçme janë miratuar dhe janë në dispozicion falas për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore mbi mënyrën e dorëzimt dhe shqyrtimit të ankesave, një numër I gjelbër pa pagesë është sot në dispozicion për cdo paqartësi për të gjithë operatorët vendas dhe të huaj, një sistem chati dhe aplikacioni i parë KPP mobile është gjithashtu i disponueshëm për të bërë më të lehtë aksesin në informacion, përfshirë edhe një motor kërkimi për personat me aftësi të kufizuar në shikim, i pari për një institucion publik ku mbi 600 të tillë në vit aksesojnë sistemin tonë.
Ne jo vetëm që kemi vendosur të jemi të hapur dhe transparent por transparencën ta ngremë në nivelin më të lartë të standardeve që sot janë të disponueshme. Ndaj ne falënderojmë partnerët tanë Open Contracting Partnership dhe BERZH që falë bashkëpunimit të ngushtë me to kemi shndërruar publikimin e veprimtarisë së KPP-së në përputhje me standardin OCDS, i pari organ shqyrtues i prokurimit në Evropë i certifikuar si publikues i të dhënave sipas këtij standardi. Sigurisht që rrugëtimi ynë në përmirësimin e cilësisë së publikimit është i vazhdueshëm dhe ndaj sot ne po vijojmë punën për digjitalizimin e arkivës së vendimeve nga viti 2010 deri në vitin 2020, si edhe të rritjes së cilësisë së publikimit të të dhënave aktuale.
Mbi 21 fusha specifike për secilën procedurë publikohet sot nga Komisioni nga 4 që publikoheshin vetëm 4 vite më parë, informacioni gjithashtu mbi vendimmarrjen ofrohet edhe në standardin JSON.
Ne jemi falënderues ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë jo vetëm për mbështetjen në rrugën e reformave por edhe në njohjen e tyre, siç është edhe çmimi special i akorduar nga SIGMA-OECD dhe RESPA mbi: “Njohjen speciale për besimin në administratën publike për sistemin e E-Ankesave“. Ndërkohë, sistemi i E-Ankesave është përzgjedhur ndër 15 projektet më të mira në nivel botëror nga juria e samitit të GOV TECH, në vitin 2022 në Hagë, duke e vendosur kështu Shqipërinë në hartën e iniciativës globale, me një mision të qartë “Përsosmërinë në mbështetjen e inovacionit GovTech”. Apo njohjen dhe vlerësimin e reformës nga Komisioni Evropian pasqyruar kjo në raportet periodike për Shqipërinë.
Sot, KPP rreshtohet në krahë të organeve shqyrtuese të prokurimit të Evropës Juglindore, si vend anëtar dhe themelues i rrjetit të OSHP-ve të Evropës Juglindore dhe duke nisur nga viti i kaluar, vend me statusin e vëzhguesit në organet shqyrtuese të prokurimit të Bashkimit Evropian dhe anëtar i grupit të ekspertëve të prokurimit EXEP dhe anëtar i Platformës Digjitale të Komunitetit të Blerësve Publikë të Komisionit Evropian.
Por sot para sfidave shumë dimensionale nuk është vetëm më Komisioni i Prokurimit Publik por edhe vetë sistemi i prokurimit publik në Shqipëri. Në më pak se një muaj më parë disa ndryshime thelbësore të ligjit të prokurimit publik hynë në fuqi.
54 Nenet e amendimit të 15-të në radhë të ligjeve të prokurimit publik nuk ndryshuan vetëm ligjin e prokurimit publik, por shënuan një moment të ri historik atë të ndryshimit të konceptit të zhvillimit të procedurave të prokurimit publik në Shqipëri.
Sfidat janë të shumta nga përdorimi i inteligjencës artificiale në zhvillimin edhe vlerësimin e procedurave të prokurimit në përfshirjen për herë të parë në ligj të konceptit të asistencës ndërkombëtare në zhvillimin e procedurave të prokurimit edhe përmes zhvillimit të tyre përmes ofruesit të shërbimit të prokurimit.
Disa prej këtyre ndryshimeve janë propozuar edhe nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik. Ndaj, më lejoni të shpreh falënderimet ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që dëgjoi zërin e institucionit të pavarur, duke marrë në konsideratë propozimet tona.
Shumë prej nesh mund të jenë skeptikë, madje pyetjet skeptike se a është e nevojshme që një organ shqyrtues i prokurimit të jetë i përfshirë në proceset reformuese, të propozojë ndryshime ligjore dhe të japë kontribut në ndërtimin e mekanizmave për përmirësimin e sistemit mund të kenë përfshirë shumë prej jush, madje edhe vetë ne mund ti kemi ngritur këto shqetësime.
Ka shumë mësime që mund të nxirren nga vendimmarrja e organeve shqyrtuese të prokurimit, mësime të cilat mund të shërbejnë për të përmirësuar sistemin e prokurimit në tërësi, duke nisur nga problematikat ligjore, në problematikat në zbatimin e ligjit, si edhe risqet e ndryshme për përsëritje të gabimeve procedurale.
Në këto katër vite si organ shqyrtues i prokurimit ne kemi konstatuar shumë probleme në sistem nga të gjithë grupet e interesit dhe për misionin e ngarkuar nga ligji dhe besimin e dhënë nga kuvendi ne vlerësojmë se nuk mundet thjesht të qëndrojmë pasivë, apo thjesht të vrapojmë larg problemit, pasi thellësisht jemi të bindur se kështu vetëm sa do të rrisim distancën nga zgjidhja e problemeve.
Në rrugëtimin tonë të reformave më lejoni të shpreh katër falënderime të veçanta.
Falënderimi i parë shkon për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, i cili në këto 4 vite ka qenë përherë pranë nesh, në mbështetjen e plotë të çdo nisme dhe reforme nga nisja e procesit të digjitalizimit, në organizimin e të parës konferencë me autoritetet dhe entet kontraktore, në themelimin e rrjetit të organeve shqyrtuese të prokurimit të Evropës Juglindore dhe në këtë ditë të rëndësishme të sotme.
Së dyti më lejoni të falënderoj SIGMA-OECD për asistencën teknike, mbështetjen financiare në bashkëorganizimin e shumë eventeve dhe opinionet e dhëna për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe atij të brendshëm të Komisionit të Prokurimit Publik, duke qenë një garanci jetike për qëndrueshmërinë e legjislacionit dhe praktikës institucionale.
Së treti Open Contracting Partnership dhe BERZH për kontributin e qenësishëm në procesin reformues në drejtim të transparencës.
Sot është një ditë e veçantë për Shqipërinë dhe Komisionin e Prokurimit Publik, të mbledhur këtu, ekspertë të prokurimit publik shqiptarë dhe Evropianë të ndajmë mes nesh eksperiencat më të mira dhe të mësojmë nga njëri tjetri, nga gabimet e njëri tjetrit por edhe historitë e suksesit në fushën e prokurimit publik.
Rrugëtimi Evropian i Shqipërisë është i rrënjosur thellë në AND tonë. Për Shqipërinë, dielli lind andej nga Perëndon shkruante rilindësi ynë i madh Naim Frashëri gati dy shekuj më parë, por ashtu sikundër nënvizon edhe Presidentja Ursula Von Der Leyen, Evropa nuk është një koncept abstrakt, por përbëhet nga njerëz reale, me aspirata reale që përballen me sfida së bashku.
Ndaj, le të ndajmë së bashku sfidat tona në fushën e prokurimit publik dhe të inspirohemi nga njëri tjetri gjatë këtyre ditëve.”
Paneli i parë u fokusua në lidhjen midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e rëndësisë së prokurimit publik për integritetin e procesit të integrimit. Figurat kyçe si Z. Andre Rizzo, Drejtor i Seksionit Politik, dhe Z. Marc Christopher Schmidt, Zyrtar Politik dhe Ekspert në e-Procurement në Komisionin Evropian, ndanë perspektivat e tyre në lidhje me sfidat dhe mundësitë në këtë drejtim.
Ndërsa Kryetari i Komitetit të Ekonomisë të Parlamentit, Z. Eduard Shalsi, dhe Z. Plarent Ndreca, Anëtar i Komitetit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Parlamentin e Shqipërisë, kontribuuan me analizat e tyre mbi përgatitjet dhe reformën e prokurimit publik në nivel vendi.
Panelin e parë me temë “Shqipëria dhe Bashkimi Evropian, pse prokurimet publike janë të rëndësishme në procesin e integrimit”, e hapi përgjegjësi i Seksionit Politik të Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Andre Rizzo, i cili në fjalën e tij përmendi progresin që ka bërë Shqipëria në fushën e prokurimeve publike duke thënë, se ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e mjeteve të digjitalizimit, në veçanti me zhvillimin sistemin e ankesave elektronike.
z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë në Parlamentin Shqiptar, në fjalën e tij, përgëzoi Komisionin e Prokurimeve Publike për mënyrën se si i kanë përfshirë të gjithë aktorët e interesuar në procesin e prokurimit publik.
“Prokurimi publik është një instrument shumë i rëndësishëm dhe ka rol parësor në mirëqeverisjen e parave publike.”- u shpreh z. Plarent Ndreca, Anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë
Ndërsa, z. Marc Christopher Schmidt, Përgjegjës i Politikave dhe Ekspert i Prokurimit elektronik pranë Komisionit Evropian, në fjalën e tij u shpreh, se grupi EXEP organizon për herë të parë një workshop të këtij lloji në një vend joanëtar të Bashkimit Evropian.
Në vijim të workshopit të prokurimit publik, një tryezë e rrumbullakët u organizua për të prezantuar dhe diskutuar reformën në prokurimin publik në Shqipëri, si dhe për të shtruar vizionin për të ardhmen e këtij sektori të rëndësishëm.
Sesionet e paradites dhe të pasdites u përqendruan në zbatimin e reformës në prokurimin publik në Shqipëri, duke theksuar çështje të tilla si formularët elektronikë, certifikatat elektronike, dokumentacioni i plotë elektronik, dosja virtuale dhe rëndësia e transparencës në prokurimin publik.
Ky workshop paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qeverisjes dhe integritetit në fushën e prokurimit publik në Shqipëri.







