Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesat ankimore të PD-LSI: Zgjedhjet në qarkun Gjirokastër të vlefshme
Kolegji Zgjedhor rrëzoi sot 3 kërkesa për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës.
Kolegji Zgjedhor, shqyrtoi sot kërkesat e PD-AN, LSI dhe kandidatit të pavarur në qarkun e Gjirokastrës, Kreshnik Merxhani për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 25 prillit në këtë qark.
Pas vendimit të KAS, për të mos ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit për qarkun e Gjirokastrës, PD-AN LSI, dhe kandidati i pavarur e apeluan këtë vendim në Kolegjin Zgjedhor.
Përfaqësuesi i PD, Ivi Kasoi kërkoi në Kolegj Zgjedhor që të merren në konsideratë provat, të cilat nuk i mori në konsideratë KAS.
Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, Eridjan Salianji, i cilësoi si prova të cunguara ato të siguruara nga PD. Ai tha, se nuk mund të paraqesësh prova në Kolegj, të marra nga deklarata politike, pasi janë në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, e për këtë, ai kërkoi nga trupa e gjykatësve, të mos marrin parasysh provat e paraqitura nga PD.
Kolegji Zgjedhor ashtu si KAS nuk pranoi marrjen e provave shtesë për Gjirokastrën.
Eunews.al