Kissinger: SHBA dhe Kina më shumë përpjekje për bashkëpunim
Rëndësia e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës do të kërkonte që të dy palët të bënin përpjekje gjithnjë e më intensive për të punuar së bashku, për të rikrijuar besimin e ndërsjellë, në mënyrë që të promovonin paqen dhe prosperitetin në botë, pavarësisht nga ndryshimet në sistemet e tyre përkatëse dhe diversitetet historike dhe kulturore, deklaroi ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, arkitekti i fillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kissinger bëri thirrjen për bashkëpunim gjatë Forumit të Zhvillimit 2021, që po zhvillohet në Pekin, me anë të një mesazhi video, i regjistruar përpara samitit të tensionuar, të enjten dhe të premten midis SHBA dhe Kinës, në Alaskë.
“Në 50 vitet e fundit marrëdhëniet janë zhvilluar pozitivisht vetëm në bazë të bashkëpunimit”, tha 97-vjeçari Kissinger.
Ai theksoi me forcë se “në sfondin e teknologjisë, komunikimit modern dhe globalizmit ekonomik, SHBA dhe Kina duhet të bëjnë më shumë përpjekje se kurrë më parë për të bashkëpunuar”.
Në të njëjtën seancë hapëse, ish-sekretari i Thesarit, Robert Rubin, ndërsa pranoi praninë e problemeve “në një marrëdhënie shumë komplekse”, deklaroi se palët duhet të punojnë në çështje me interes të përbashkët si ndryshimi i klimës dhe ndihma për kombet më të varfra.
I ashpër ishte gjykimi i ish-zëvendësministres së Jashtme kineze, Fu Ying, sipas së cilës janë marrëdhëniet midis dy vendeve janë “në një kohë të vështirë të rënies së fortë”.
Fu kritikoi “zakonin e SHBA për të ndërhyrë brenda çdo biznesi në botë dhe në punët e brendshme të shumë vendeve, përfshirë Kinën”.
“Pala kineze i sheh lëvizjet e gabuara nga SHBA si të pakuptueshme dhe të papranueshme”, tha ajo.
Fu, e cila tani është presidente e Qendrës për Siguri dhe Strategji Ndërkombëtare në universitetin “Tsinghua” të Pekinit, shtoi se “duket sikur SHBA di më shumë për Kinën sesa ne” dhe se “ata mund të bëjnë një punë më të mirë për menaxhimin e Kinës”.
Eunews.al