×
Thursday, July 7, 2022

Kim: Shqipëria e përkushtuar të përballet me plagën e trafikimit të qenieve njerëzore 

May 25, 2022

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa për të rritur ndjekjet penale të trafikantëve të dyshuar si të tillë.

Gjatë punimeve të “Forumit të Lirisë Ballkanike” me temë “Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan”, ku të pranishëm ishin presidenti, Ilir Meta dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadorja Kim, theksoi se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një çështje shumë e rëndësishme dhe se Shqipëria ka bërë progres në përballjen me të.

“Prania e dy krerëve të shteteve tregon se kjo është një çështje e rëndësishme që na mbledh bashkë”, tha Kim.

Kryediplomatja e SHBA-së në Tiranë, vuri në dukje se për 4 mijë vite, trafikimi dhe skllavëria kanë qenë plotësisht të pranuara, por tashmë kemi përparuar mjaftueshëm, jemi ndriçuar mjaftueshëm, për të kuptuar se trafikimi dhe skllavëria janë të gabuara dhe se çdo qenie njerëzore ka një vlerë në vetvete dhe se ne të gjithë duhet të bëjmë përpara dhe ta mbrojmë këtë për veten dhe komunitetin.

“Jam besimplotë që Shqipëria me partnerët e saj është e përkushtuar të përballet me plagën e trafikimit të qenieve njerëzore. Gjithashtu dua të vlerësoj se qeveria ka ndërmarrë hapa për të rritur ndjekjet penale të trafikantëve të dyshuar si të tillë, me një rritje të autorëve të dënuar vitin e kaluar. Duket sikur është bërë një thyerje e prirjes globale, por na duhet të shohim më shumë për këtë”, u shpreh ajo.

Kim po ashtu evidentoi se qeveria ka shtuar burimet për shtresat e drejtuara nga OJQ-të dhe njësitë lëvizëse që ndihmuan në identifikimin e më shumë viktimave të trafikimit.
Por vijoi, Kim, terapitë dhe programet që kemi për të adresuar viktimat e trafikimit duhet të jenë të përshtatura dhe vlerësuese të asaj për të cilën po flasim, që nuk është thjeshtë një turmë njerëzish pa emër e fytyrë, por po flasim për qenie njerëzore, që secili prej tyre është një anëtar i dashur i komunitetit tonë.

“Është mirë që qeveria ka miratuar një plan kombëtar veprimi për trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore me burime të ndara sipas zërave. Këto janë hapa të rëndësishëm por mbete ende shumë për të bërë”, deklaroi Kim.

Kim theksoi se çdo vit Departamenti i Shtetit Amerikan publikon raportin e trafikimit të personave që përmban një listë përparësish të rekomanduara, që synojnë, jo për të kritikuar, por për të ndihmuar si një udhërrëfyes në përparimin e vazhdueshëm, bashkëpunimin e vazhdueshëm mes SHBA e Shqipërisë.

Ndërkohë, vijoi Kim, që këtë vit pati një rritje të ndjekjeve penale të trafikantëve, kjo mund të kthehet në një përpjekje vjetore për të treguar vendosmëri të vazhdueshme e qëndrueshme për të ndalur trafikimin.

“Njësitë e lëvizshme të identifikimit të viktimave kanë nevojë për fonde e staf të dedikuar për të ndihmuar në të gjithë Shqipërinë dhe ekzaminimi proaktiv i grupeve më të ekspozuara të trafikimit parandalon viktimat e ardhshme. Ne besojmë se ekziston vullneti në të gjitha nivelet e lidershipit shqiptar, pavarësisht nga anësia, apo niveli, ekziston ky vullnet për të adresuar këtë çështje. Por tani duhet të identifikojmë rrugën për të bërë përpara”, tha ajo.

Ambasadorja theksoi se SHBA ka ndihmuar me financim qeverinë shqiptare, ndërsa vlerësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal.

“Asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Zgjidhjet duhet të jenë rajonale dhe transnacionale dhe për këtë arsye nevojitet një qasje rajonale për të forcuar sistemet antitrafik në të gjithë Ballkanin dhe përpjekjet për të identifikuar viktimat dhe mbajtur trafikantët llogaridhënës. Për këtë arsye është e rëndësishme të mos kemi folës vetëm nga SHBA, por edhe nga vendet fqinje për të dalluar që kjo është një çështje rajonale e ndërkufitare”, u shpreh ambasadorja.

Sipas saj, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka qenë një prioritet i qeverisë amerikane në të gjitha administratat, ndërsa shprehu besimin se kjo nuk do të ndryshojë ndonjëherë.

Kim inkurajoi edhe të gjithë personat që marrin pjesë në këtë luftë.

“Personat që marrin pjesë në këtë luftë, policës prokurorëve duam tu themi se qëndrojmë me ju dhe do të jemi gjithmonë me ju në këtë luftë. Ju nxisim që të shfrytëzoni mundësitë që ofron forumi i sotëm të analizoni zinxhirin e furnizimit që mundëson trafikimin e qenieve njerëzore dhe të identifikoni praktikat më të mira për ta thyer atë“, deklaroi Kim.

Comments are closed.