×
Saturday, April 26, 2025

“Kemi në proces një super hetim”/ Ulsi Manja: Asnjë zyrtar apo ish zyrtar që abuzon nuk duhet ta bëjë gjumin e qetë

March 25, 2022


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka mbajtur konferencë për mediat duke thënë se kanë në hetim një dosje me abuzimet në pronën publike dhe private nga veriu në jug që ka në fokus bregdetin. Ndër të tjera, paralajmëroi çdo nëpunës publik se do të përballet me ligjin në rast se e shet shërbimin publik dhe shtoi se “nuk duhet të bëjnë gjumin e qetë” ata që abuzojnë me detyrën e shtetit.

Ulsi Manja: Besoj dhe shpresoj fort se ka nisur një erë e re në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e agjensive ligjzbatuese në vend me organet e reja të drejtësisë në Shqipëri. E nxis prokurorinë të vazhdojë të rrisë performancën e saj dhe për të tjera kallëzime që janë dorëzuar nga drejtoria antikorrupsion.

Asnjë zyrtar dhe ish zyrtar abuzues me detyrën e shtetit nuk duhet të ndihet i sigurt dhe as ta bëjë gjumin e qetë. Dua të falenderoj qytetarët që denoncojnë. Hetimi dhe aksioni i djeshëm ka ardhur pas denoncimit të një qytetari. Dua po ashtu të ftoj qytetarët se denoncimet nuk duhet ti bëjnë vetëm pasi nuk zgjidhin hall, por menjëherë sapo zyrtarët i shtyjnë në korrupsion apo nuk i japin shërbimet që i takon.

Nëse qytetari mbaron punë me zyrtarin dhe pastaj ankohet, minimumi është bashkëpunëtor në nxitjen e korrupsionit. Ne duhet ta zhdukim këtë mentalitetin e mbarimit të hallit duke paguar nëndorë. Nuk kemi mbaruar punë as me Kadastrën e Sarandës dhe të gjitha zyrat e Kadastrës në Shqipëri. 

Drejtoria antikorrupsion ka në proces një super hetim me abuzimet në pronën publike e private nga veriu në jug me fokus bregdetin. Dosja e hetimit, e cila shtrihet në kohë, jo vetëm periudha e qeverisjes tonë por që kur kanë filluar abuzimet me pronën publike e private në Shqipëri. Në këtë hetim përfshihen ish zyrtarë dhe zyrtarë aktual të Kadastrës, pavarësisht rangut dhe detyrës që mbajnë. Në përfundim, rezultatet konkrete do jenë në duart e SPAK.

Çdo nëpunës publik që e shet për shërbim publik kundrejt ryshfetit do të përballet me forcën e ligjit. Ky është vullneti i palëkundur i kësaj qeverie për të luftuar korrupsionin në administratën publike dhe shtetërore. 

Së fundmi ka pasur operacione në Kadastrën e Fierit dhe Sarandës ku janë kryer arrestime të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve që kanë kryer abuzime. I pyetur nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha nëse Kadastra është fokusi i njësisë antikorrupsion, Manja tha se ka edhe agjensi të tjera.

Ulsi Manja: Dua të jem i drejtpërdrejtë në përgjigje, nuk është vetëm kadastra fokusi i njësisë antikorrupsion. Aktualisht po trajtohen mbi 700 raste të ankesave të qytetarëve pranë njësisë antikorrupsion dhe për agjensi të tjera. Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete, por fokusin e ankesave e kemi për Agjensinë Shtetërore të Kadastrës. Duhet të thënë në fakt që pas ndërhyrjes së njësisë antikorrupsion, nuk është e gjitha bardh e zi por po flasim për abuzime në pronën publike dhe private të tjetërsuar nga ish zyrtar dhe zyrtar aktual. Super hetimi që kemi në dorë nga veriu në jug me fokus për pronat në bregdet, do të jetë shumë shpejt, por përfshihen dhe zyrat vendore të Kadastrës, jo vetëm bregdetin

Pyetje: Për çfarë ankohen më së shumti qytetarët?

Ulsi Manja: Tjetërsim pronash.




Comments are closed.