×
Wednesday, February 12, 2025

KE: Shtetet anëtare të ndihmojnë Lituaninë përballë fluksit të migrantëve

July 29, 2021


Komisioni Evropian u bëri thirrje sot vendeve anëtare të BE-së që të mbështesin Lituaninë në trajtimin e fluksit të mijëra migrantëve të parregullt në kufirin me Bjellorusinë.

“Instrumentalizimi i papranueshëm i njerëzve për qëllime politike duhet të ndalet”, tha eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, në një letër drejtuar ministrave të Brendshëm të bllokut.

“Përparësia jonë e parë duhet të jetë të ndihmojmë Lituaninë në sigurimin e kufirit të saj me Bjellorusinë. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të kontribuoni në këtë përpjekje, si një çështje përparësie”, shtoi ajo.

Autoritetet lituaneze kanë raportuar një rritje të lartë të mbërritjeve të parregullta në territorin e saj gjatë muajve të fundit.

Brenda një dite, gati 200 persona kaluan kufirin në fillim të kësaj jave, duke e çuar numrin e përgjithshëm të emigrantëve të kapur këtë vit në mbi 3 000, i krahasuar me 81 gjatë gjithë vitit të kaluar.

Vendi, që ndan një kufi prej gati 680 kilometrash me Bjellorusinë, akuzon Minskun se i ka lejuar qëllimisht emigrantët përtej kufijve të tij dhe se ka organizuar fluturime shtesë nga vende të tilla, si Iraku.

Sipas Johansson, për t’u përballur me këtë fluks të emigrantëve të parregullt, që po mbërrijnë në kufirin e BE-së, agjencia kufitare evropiane, Frontex ka premtuar se do të dërgojë 36 roje kufitare shtesë në kufirin me Lituaninë.

Eunews.al




Comments are closed.