Katari ngre dyshime për të ardhmen e negociatave Izrael-Hamas
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e ndërmjetësimit midis Izraelit dhe Hamasit – pas vrasjes së liderit të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.
“Vrasjet politike dhe shënjestrimi i vazhdueshëm i civilëve në Gazë, ndërsa bisedimet vazhdojnë, na bëjnë të pyesim, si mund të ketë sukses ndërmjetësimi kur njëra palë vret negociatorin në anën tjetër?”, shkroi Mohammed bin Abdulrahman në një postim në platformën X.
“Paqja ka nevojë për partnerë seriozë dhe një qëndrim global kundër shpërfilljes së jetës njerëzore”, shtoi ai.
Katari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar prej disa muajsh për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës – dhe për të shkëmbyer pengjet e mbajtura nga Hamasi me të burgosurit palestinezë të mbajtur në Izrael.
‘Katari dënoi vrasjen e Haniyeh si “një krim të urryer, një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe humanitar”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.
Ministria e Jashtme e Jordanisë gjithashtu dënoi sulmin ndaj liderit të lartë të Hamasit duke e quajtur atë “një krim në përshkallëzim që do të çojë në më shumë tension dhe kaos në rajon”.
Ajo i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar agresionin izraelit në Gazë – dhe për të mbrojtur sigurinë dhe stabilitetin e rajonit nga pasojat e tij.







