×
Monday, December 9, 2024

Kampi i Gjadrit, Bucci: Sjell zhvillim ekonomik dhe punësim për banorët e zonës

November 6, 2024


Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, deklaroi sot se, kampi i Gjadrit do të sjellë shumë përfitime për banorët vendas, pasi do të hapen vende pune brenda kësaj strukture.

Në një intervistë televizive nga kampi i Gjadrit, Bucci u shpreh se, “kampi ka gjithsej një sipërfaqe prej 70 mijë metra katrorë”.

“E ndërtuam në thuajse tre muaj, tre muaj e gjysmë dhe është bërë një punë prej tre-katër muajsh për konsolidimin e terrenit”, tha ai,

Ambasadori u shpreh se terreni ka qenë i rrëshqitshëm në këtë zonë.

“Është një terren nga pikëpamja gjeologjike, i shkrifët, që rrëshket dhe duke bërë shpime, u zbulua që duhej patjetër të konsolidohej, kështu që janë kryer punime siç janë bërë shekuj më parë në Venecia. Janë ngulur shtylla. Për të krijuar bazën, janë ngulur në tokë 7 mijë shtylla betonarme të thellë 15 metra dhe me gjerësi prej 70 – 80 cm. Nëse i vendos në rresht duke ecur mbërrin në Bari. Janë gjithsej 100 km shtylla betonarme’”, tha ai.

Më pas, shtoi Bucci, “nisi ndërtimi i kësaj çfarë shihni në fillim të korrikut. Kështu që nga korriku deri në tetor ne kemi realizuar këtë qendër për pritjen e mijërave personave”.

Ambasadori Bucci theksoi se investimi ka qenë i konsiderueshëm.

“Ka qenë një investim i konsiderueshëm dhe vetëm për ndërtimin, flasim për dhjetëra-milionë euro. Vetëm për ndërtimin dhe më pas do të jetë e gjithë faza që ka të bëjë me menaxhimin në momentin që do të mbërrijnë personat e parë e mirëpritur këtu. Këtu kemi një përgjegjës tonin të qendrës. Një drejtues i Ministrisë së Brendshme. Këtu gjithashtu kemi policinë tonë, këtu përreth janë policët tanë, karabinierët, si dhe funksionarë të ndryshëm të Ministrisë së Brendshme. Pra këtu ne kemi plot katër ministri: Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, sepse brenda qendrës kemi dhe një spital të vogël. Duhet të garantojë natyrisht që të gjithë emigrantët që mbërrijnë të jenë nga pikëmpamja mjekësore të trajtuar, të vizituar, pasi sigurisht e kemi për zemër mirëqenien dhe shëndetin e emigrantëve të ardhur”, tha ai.

Bucci u shpreh se, “ky është një kamp që do të ketë një kohëzgjatje në bazë të protokollit të marrëveshjes, pra 5 vjet”.

I pyetur nëse mund të shtyhet më tej, ambasadori Bucci tha se, “këtë do ta vendosin qeveritë, në përfundim të protokollit të marrëveshjes”.

“Sigurisht kjo është një qendër që përfshihet në këtë zonë. Ne kemi një shoqëri italiane që menaxhon konkretisht kampin në lidhje me furnizimin e ushqimit, vakteve, transportin dhe gjithçka dhe sigurisht ne do të mbështetemi tek të gjitha kompanitë lokale, të vendit, do të mbështetemi tek personeli vendas”, tha ai.

Më tej Bucci u shpreh se janë qindra italianë që punojnë në këtë kamp.

“I gjithë personeli që do të menaxhojë kampin, pra policia, karabinierët, funksionarët drejtues të administratës, avokatë, gjykatës, mjekë, infermierë, personeli që do të menaxhojë burgun e vogël, kështu do të jenë disa qindra persona. Aktualisht, janë rreth 250 persona që janë personel fiks”, tha ai.

“Kjo është një qendër që tashmë funksionon, ka filluar të punojë rreth 10 ditë më parë dhe është gati të mirëpresë emigrantët e ardhshëm”, theksoi ai.

Po ashtu, Bucci shtoi se edhe shqiptarët që do të punojnë do të jenë me qindra.

“Flasim për qindra. Do të jenë mbi të gjitha vendas të zonës, sepse e gjithë përgatitja e vakteve, flasim për mijëra vakte ushqimi çdo ditë dhe këto do të kryhen nga firma vendase që do të përgatisin vaktet. P.sh., edhe për sa i përket pastrimit të qendrës, transporti, ndërmjetësit, përkthyesit do të jenë personel vendas”, tha ai.

Kjo zonë, shtoi ai, “do të ketë zhvillim të madh, sepse flasim për një periudhë 5-vjeçare dhe me dhjetëra miliona euro të shpenzuara nga Italia, pa marrë pastaj parasysh të gjitha aktivitetet e ndërlidhura, sepse kemi këtu për shembull një firmë nga Lezha prodhon vaktet ushqimore. Firma nga Lezha duhet të blejë mishin, peshkun, frutat, perimet. Pra, është firma vendase dhe të gjithë furnitorët të firmës vendase, pra vihet në lëvizje. Një zinxhir shumë i gjerë që do të përfshijë të gjithë zonën”, u shpreh Bucci, i cili shtoi se punonjësit në këtë kamp do të kenë rroga të mira.

Ambasadori u shpreh se shumë banorë të zonës ndihmojnë xhenierët italianë me punimet.

“Sigurisht, i ndihmojnë, sepse natyrisht këtu kemi shumë fqinj. Shumë banorë të Lezhës apo të zonës së Gjadrit dhe për ne është e rëndësishme të kemi edhe marrëdhënie të mira fqinjësie dhe u kemi dhënë një dorë këto muaj. Kush kishte nevojë për shembull për të gërmuar një pus, kush kishte nevojë për një ndihmë të vogël, ne u jemi ofruar, pa u kursyer”, tha ai.

“Këtu është bërë një punë e jashtëzakonshme, sepse këtu kemi gërmuar dy puse për furnizimin me ujë. Uji që përdoret këtu, është ai që marrim nga nëntoka, pra nuk është nga jashtë. Kemi realizuar një lidhje të re të energjisë elektrike, pasi kjo është një qendër që konsumon shumë energji, kështu që kemi bërë një investim të konsiderueshëm prej miliona eurosh për të fuqizuar rrjetin elektrik. Kemi realizuar sistemin e ujërave dhe kanalizimeve, duke zbatuar sigurisht legjislacionin italian. Ne nuk mund të ndërtojmë asgjë nëse nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian”, theksoi më tej Bucci.




Comments are closed.