×
Thursday, January 22, 2026

Kallas: Përdorimi i raketës ”Oreshnik” nga Rusia paralajmërim për Evropën dhe SHBA-në

January 9, 2026


Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas tha se përdorimi nga Rusia i raketës ”Oreshnik” është një përshkallëzim i qartë kundër Ukrainës dhe synon të jetë një paralajmërim për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Putin nuk e dëshiron paqen dhe se përgjigjja e Rusisë ndaj diplomacisë është më shumë raketa dhe shkatërrim”, tha ajo.

“Ky model i sulmeve të përsëritura ruse në shkallë të gjerë do të vazhdojë deri sa të ndihmojmë Ukrainën ta ndalojë atë”, theksoi Kallas.

Kallas theksoi gjithashtu se vendet e BE-së duhet të përdorin më shumë rezervat e tyre të mbrojtjes ajrore dhe të sigurojnë menjëherë ndihmën e nevojshme si dhe të vendosin sanksione më të rrepta ndaj Rusisë.

Rusia pranoi se ka përdorur raketën e saj me rreze të mesme veprimi dhe me kapacitet bërthamor ”Oreshnik” në një sulm ndaj Ukrainës perëndimore, raportoi sot agjencia e lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Ky është sulmi i dytë ndaj Ukrainës ku përfshihet kjo armë.

Sipas ministrisë, sulmi u krye si përgjigje ndaj një akti terrorist të kryer nga Kievi ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin më 29 dhjetor 2025.

Ministria shtoi se objektivat e goditjes u arritën dhe se u shënjestruan objekte që prodhonin mjete ajrore pa pilot (dronë), të cilat dyshohet se janë përdorur në sulmin e pretenduar, si edhe infrastruktura energjetike.

Ukraina ka mohuar se ka kryer ndonjë sulm ndaj rezidencës së Putinit dhe akuzon Moskën se po përdor këtë pretendim të rremë për të justifikuar goditjet ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev.




Comments are closed.