Java e Europës”/Ambasadorët e vendeve të BE: Jemi krah Shqipërisë
Delegacioni i BE-së në Tiranë organizoi sot një aktivitet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në kuadër të Javës Europiane.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Luigi Soreca theksoi se BE do të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë kërkesat për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Soreca tha se bashkëpunimi Shqipëri-BE do të vijojë për të bërë të mundur mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare.
“Ideja ishte që ne në fund të fundit të tregojmë se ne jemi një skuadër BE. Ideja ishte të tregojmë se çfarë ka bërë BE-ja, se çfarë do të bëjë në vijim për Shqipërinë. Në fokusin tonë ishte që të vizitonim sa më shumë bashki të ishte e mundur. Bashkitë do të bëjnë 70% të punës për të çuar në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ideja ishte që të vinim dhe të tregonim se ç’kemi bërë pas tërmetit, për shkollat dhe trashëgiminë kulturore. Do të vizitojmë shumë shkolla. Do të restaurohet edhe mozaiku tek ‘Muzeu Kombëtar”, tha Soreca.
Angazhim për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt BE, shprehu në përmbyllje të aktivitetit Java e Europës, ambasadori gjerman, Petër Zingraf.
“Ne do të punojmë me ju në sferat politike dhe jo vetëm. Do të jetë kënaqësi që të ndihmojmë në rrugëtimin tuaj”, tha ai.
Nisur që më 9 maj dhe deri të shtunën më 29 maj, Javët e Europës 2021, po festohen me një udhëtim 21-ditor nga Veriu në Jug të Shqipërisë për t’u takuar me qytetarët dhe për t’iu gëzuar veprimtarive të veçanta, panaireve, koncerteve dhe debateve mbi BE-në dhe Shqipërinë.
Programi i Javëve të Europës të këtij viti ka të bëjë me shkëmbimin me komunitetet vendore përmes një ekspozite lëvizëse rreth BE-së, politikave dhe vlerave të saj, ndihmës së saj financiare për Shqipërinë së bashku me Shtetet Anëtare të BE-së.
Temat kryesore përqendrohen te programet “BE për Shkollat”, “BE për Kulturën”, “BE për Inovacionin”, “BE për Bujqësinë” dhe Erasmus+. Një kombinim i argëtimit shqiptar dhe europian përmes muzikës, netëve të filmave të BE-së, si dhe dokumentarëve mbi trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, do të shoqërojnë udhëtimin e Delegacionit të BE-së, duke dëshmuar se: Europa është këtu.
Eunews.al