Java Amerikane, me aktivitete të larmishme nga 15-21 maj
Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikoi sot axhendën e aktiviteteve që do të zhvillohen nga data 15-21 maj në Tiranë në kuadër të Javës Amerikane.
“Ejani dhe festoni me ne 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë Javës Amerikane! Ambasada e SHBA-së ka kënaqësinë të njoftojë se Java Amerikane do të zhvillohet nga 15 maj deri në 21 maj. Kemi organizuar një javë plot me muzikë, kulturë dhe argëtim amerikan, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim”, thuhet në njoftim.
Ambasada e SHBA-së njofton se të gjitha aktivitetet janë pa pagesë dhe të hapura për publikun.
“Jemi veçanërisht të gëzuar që do të sjellim bandën e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara “Touch ‘n Go” në Shqipëri, për koncerte në Tiranë dhe në Shkodër. Shihni kalendarin e plotë për datat dhe orën e aktiviteteve. Ejani të festoni 100 vjet miqësi me ne gjatë Javës Amerikane! Shpresojmë t’ju shohim aty”, thuhet në njoftim.