×
Friday, December 3, 2021

Japonia mbështet Fondin e Ballkanit Perëndimor me 30 mijë euro

November 17, 2021

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Mitsuyuki Takada dhe drejtori Ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, Gjergj Murra, nënshkruan në Tiranë, marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin “FIRE – Promovimi i kulturës së tolerancës dhe respektit të ndërsjellë brenda dy rajoneve”.

Ky projekt synon të luftojë gjuhën e urrejtjes dhe shpifjen, dy pengesa serioze për promovimin e bashkëpunimit rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Vishegradit.

Japonia do të mbështesë Fondin e Ballkanit Perëndimor me një shumë prej 30,000 euro,  për të organizuar një konferencë që do të trajtojë mënyrat më të mira për mobilizimin e grupeve të interesit të dy rajoneve për të luftuar gjuhën fyese ndaj pakicave etnike, fetare, orientimit seksual, si dhe emigrantëve. Pasi kjo gjuhë ndikon negativisht në stabilitetin e rajonit.

Mbështetja e Japonisë vjen në kuadrin e “Iniciativës për Bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor”, një iniciativë e ish-Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe e filluar në janar të vitit 2018. Kjo nismë synon të mbështesë reformat socio-ekonomike në Ballkanin Perëndimor, deri në anëtarësimin e rajonit në BE si dhe të lehtësojë pajtimin etnik duke nxitur bashkëpunimin. Në këtë kontekst, Japonia i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me Fondin e Ballkanit Perëndimor, si një organizatë e cila gjithashtu synon forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Japonia e ka mbështetur Fondin e Ballkanit Perëndimor dy herë deri më tani, ku shembulli më i fundit është në janar të këtij viti, kur Ambasada dhuroi një shumë prej 44000 € për të mbështetur një projekt i cili vlerëson ndikimin e COVID-19 në organizatat e shoqërisë civile që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këtë herë, Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit ka rënë dakord të bashkëpunojë në këtë projekt, duke sjellë përvojat dhe sfidat e këtij rajoni. Në Takimin e 7-të të Ministrave të Jashtëm “V4 + Japonia”, i zhvilluar gjatë vizitës së ish-Ministrit të Punëve të Jashtme të Japonisë, Z. Motegi Toshimitsu në Poloni më datë 7 maj, ministrat konfirmuan arritjet e bashkëpunimit “V4 + Japonia”, dhe biseduan mbi ndihmën për Ballkanin Perëndimor. Ata ranë dakord të komunikojnë ngushtë me ambasadat e tyre në Ballkanin Perëndimor për të formuluar projekte të reja bashkëpunimi. Në këtë kontekst, ky projekt është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të Japonisë dhe vendeve të Vishegradit në Ballkanin Perëndimor.

Në takimin e zhvilluar përpara nënshkrimit të marrëveshjes, ambasadori Takada dhe Murra folën mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori konfirmoi angazhimin e qeverisë së Japonisë për të mbështetur më tej rajonin dhe për gjetjen e mundësive të reja konkrete për bashkëpunim si me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me rajonin e Vishegradit.

Eunews.al

Comments are closed.