Italia nis drejt Shqipërisë delegacion për mbështetje në luftën ndaj COVID-19
Një delegacion italian në Shqipëri për mbështetje në luftën ndaj COVID-19 është nisur nga Italia drejt vendit tonë. Mësohet se janë 7 ekspertë italianë, të cilët do të qëndrojnë 14 ditë në Shqipëri.
DELEGACION ITALIAN NË SHQIPËRI PËR MBËSHTETJE SHËNDETËSORE NË LUFTËN NDAJ COVID-19
Është parashikuar të mbërrijë sot, nga Italia, një delegacion për t’i ofruar Shqipërisë ndihmesë shëndetësore dhe teknike në përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 në Vend. Task forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga gjashtë ekspertë do të zhvillojë një veprimtari dypalëshe për një periudhë 14 ditore (nga data 30/07 deri në datën 13/08). Grupi i ekspertëve do të zhvillojë veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid.
Krahas grupit të mjekëve dhe të infermierëve, me avionin e Guardia di Finanza i cili është parashikuar të mbërrijë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, sot rreth orës 12 -12.30, do të vijë në Shqipëri edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale të llojit II, dhuratë e strukturës së Komisarit të Jashtëzakonshëm Arcuri prodhimi i të cilave është autorizuar nga Instituti i Lartë italian i Shëndetësisë.
Me mbërritjen në aeroport, Grupi (i përbërë nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes) do të pritet nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, dhe nga Ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Gazetarët që do të dëshirojnë të ndjekin eventin, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale (etiola.kola@shendetesia.gov.al), do të vërë në dispozicion filmimet e mbërritjes së mjekëve në aeroport si dhe fjalët përshëndetëse të Ambasadorit dhe të Ministres përmes transmetimeve direkte në Facebook si dhe duke dërguar materialet menjëherë pas veprimtarisë.
Eunews.al