Një përshkallëzim i ri i tensioneve është regjistruar në Lindjen e Mesme, pasi forcat e armatosura iraniane dhe Garda Revolucionare njoftuan sulme ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Bahrein, Irak dhe Jordani, duke përdorur raketa balistike dhe dronë.
Sulmet vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara kishin nisur më herët një valë të re goditjesh kundër Iranit. Në disa vende të rajonit u aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa autoritetet raportuan kërcënime nga raketat dhe dronët.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve Tasnim, forcat e armatosura iraniane shënjestruan Bazën Ajrore Amerikane Sheikh Issa në Bahrein.
“Ushtria e Republikës Islamike të Iranit shënjestroi, për disa orë, instalimet e radarëve dhe pikat e grumbullimit të forcave tokësore amerikane në Bazën Ajrore Sheikh Issa në Bahrein”, raportoi agjencia.
Gjatë sulmit, në Bahrein u aktivizuan sirenat e alarmit, ndërsa autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të ruanin qetësinë dhe të strehoheshin në vende të sigurta.
Garda Revolucionare iraniane njoftoi gjithashtu se kishte zhvilluar një sulm të koordinuar ndaj bazave amerikane në Arbil, në Irak, gjatë orëve të para të mëngjesit. Sipas saj, mes objektivave ishin qendra mirëmbajtjeje, depo të pajisjeve teknike dhe një balon vëzhgimi.
Një tjetër sulm, sipas autoriteteve iraniane, u drejtua kundër një baze amerikane në Jordani. Garda Revolucionare deklaroi se kishte kryer një “sulm intensiv me raketa balistike”.
Sipas Tasnim, objektivi ishte një bazë e Korpusit të Marinës amerikane e njohur si Kampi Titin, në Gjirin e Akabës, pranë kufijve të Jordanisë me Izraelin dhe Arabinë Saudite.
Ushtria jordaneze njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes kishin kapur dhe shkatërruar dhjetë raketa balistike. Tre raketa të tjera, sipas autoriteteve, ranë në zona të pabanuara dhe nuk u raportuan të lënduar.
Situata e sigurisë u tensionua edhe në Kuvajt. Forcat e armatosura të vendit njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore po përballeshin me “kërcënime nga raketat dhe dronët armik”.
Aktivizimi i mbrojtjes ajrore në Kuvajt dhe Bahrein, së bashku me sulmet e raportuara në Irak dhe Jordani, tregojnë një zgjerim të ri gjeografik të përplasjes mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten.


