×
Tuesday, June 9, 2026

Irani: Po shkëmbejmë propozime me SHBA-në, synojmë marrëveshje dhe armëpushim rajonal

June 9, 2026


Përfaqësuesi i Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Saeed Iravani, ka deklaruar se Teherani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shkëmbejnë propozime dhe qëndrime për të arritur një marrëveshje përfundimtare, me ndërmjetësimin e Pakistanit.

Sipas Iravanit, palët janë duke punuar për hartimin e një memorandumi mirëkuptimi, megjithëse ende nuk është finalizuar një tekst përfundimtar.

“Ne po paraqesim dhe po shkëmbejmë pikëpamje dhe opinione për të arritur tekstin përfundimtar të një memorandumi mirëkuptimi përmes Pakistanit. Ende nuk kemi arritur në tekstin përfundimtar, por po e ndjekim çështjen”, deklaroi ai, sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA.

Diplomati iranian shprehu optimizëm se negociatat mund të japin rezultat brenda këtij muaji, duke lënë të kuptohet se palët po afrohen drejt një marrëveshjeje.

Sipas tij, çdo marrëveshje e mundshme do të shoqërohej me një armëpushim më të gjerë në rajon.

“Armëpushimi do të jetë global dhe do të mbulojë të gjithë rajonin, përfshirë edhe Liban”, tha Iravani.

Deklaratat vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa përpjekjet diplomatike ndërkombëtare janë intensifikuar për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit.

Pakistani ka luajtur një rol aktiv në ndërmjetësimin mes Uashingtonit dhe Teheranit gjatë muajve të fundit, duke pritur disa raunde kontaktesh dhe diskutimesh diplomatike mes përfaqësuesve të të dy vendeve.

Ndërsa ende nuk ka detaje konkrete mbi përmbajtjen e marrëveshjes së mundshme, deklaratat e fundit nga pala iraniane sinjalizojnë se kanalet diplomatike mbeten të hapura dhe se përpjekjet për një zgjidhje politike të krizës po vazhdojnë.




Comments are closed.