×
Friday, September 13, 2024

Irani nuk do të sulmojë nëse bisedimet çojnë në armëpushim

August 13, 2024


Vetëm një marrëveshje armëpushimi në Gaza, do të parandalojë Iranin nga ndërmarrja e hakmarrjes së drejtpërdrejtë kundër Izraelit për vrasjen e liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në territorin e tij, deklaruan zyrtarë të lartë iranianë raporton ”Times of Israel”.

Një nga burimet një zyrtar i lartë i sigurisë iraniane, tha se ”Irani së bashku me Hezbollahun, do të fillonin një sulm të drejtpërdrejtë nëse bisedimet dështonin ose nëse Izraeli perceptohej se po i zvarritte negociatat”.

Burimet nuk thanë se për sa kohë Irani do të lejonte përparimin e bisedimeve përpara se të përgjigjej.

Zhvillimi i ri në situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme erdhi pasi burimet izraelite dhe amerikane thanë ditët e fundit se Jerusalemi beson se Teherani synon të sulmojë përpara bisedimeve të së enjtes.

Tani duket se sulmi mund të ndodhë vetëm pas bisedimeve dhe vetëm nëse ato nuk arrijnë të prodhojnë ato që Irani beson se janë rezultate të mjaftueshme.

Dhe për herë të parë që nga fillimi i negociatave midis Izraelit dhe Hamasit, Irani është i interesuar të dërgojë një përfaqësues i cili do të përfshihet në bisedimet prapa skenave, sipas një raporti të ”Channel 12” që citon Reuters.

Përfaqësuesi nuk do të përfshihet në bisedime të drejtpërdrejta, por do të mbajë një kanal komunikimi me SHBA-në gjatë ndërmjetësimeve.

”Izraeli, ndërkohë, e vuri ushtrinë e tij në gatishmëri të lartë për herë të parë këtë muaj pasi vëzhgoi përgatitjet e Iranit dhe Hezbollahut për të kryer sulmet e kërcënuara”, shkruan ”Wall Street Journal” duke cituar një person të njohur me këtë çështje.

”Izraeli nuk e di nëse sulmet janë vërtet të afërta dhe po vazhdon me kujdes”, tha ky person.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite, Herzi Halevi miratoi planet të hënën dhe tha se përgatitjet sulmuese dhe mbrojtëse ishin duke u zhvilluar, sipas ushtrisë izraelite.

”Në një bisedë telefonike me homologun e tij turk Hakan Fidan këtë mëngjes, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken diskutoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Hamasit në samitin e së enjtes për një marrëveshje armëpushimi”, thotë Departamenti i Shtetit.

Hamasi njoftoi dy ditë më parë se nuk do të merrte pjesë, duke kërkuar nga ndërmjetësit që të bindin Izraelin të pranojë propozimin e përditësuar të paraqitur në korrik.

Një ofertë që e bëri Hamasin të heqë dorë nga kërkesa e tij që Izraeli të angazhohej për një armëpushim të përhershëm.

Zyrtarët e Hamasit banojnë rregullisht në Turqi.




Comments are closed.