×
Thursday, September 23, 2021

Integrimi në BE/ Rrugë e gjatë, e komplikuar dhe e vështirë

August 2, 2021

Negociatat e 35 kapitujve me BE-në, me Komisionin Evropian, do jenë mjaft të vështira, të komplikuara, të gjata. Kështu shprehet kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi, në një intervistë për JavaNews.

Mazi thekson se rrugëtimi i vendit tonë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane ka nisur që në vitin 1992. Por, siç shprehet ai, çdo pritje e ka një kufi.

“Eshtë krejt e justifikueshme kërkesa e Shqipërise që BE të miratojë sa më parë, pa hezitim, kuadrin negociues për Shqipërinë dhe datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare“ – thotë Mazi për JavaNews në intervistën e më poshtme.

Në Shqipëri flitet shumë, nga i madh e i vogël, për anëtarësimin në BE. Jo shumë njerëz mendoj se mund ta dinë e ta kenë të qartë sesi është e vërteta e kësaj çështje. Sa e vështirë, sa e gjatë do të jetë për Shqipërinë kjo rrugë?

Rrugën për BE duket sikur Shqipëria e ka filluar dje. Kjo nuk është e vërtetë. Po jap disa fakte. Rruga ka filluar në 1992. Ky rrugëtim nuk është garë midis shteteve, hyn ai që arrin i pari në finish! Parimi bazë, i vjetër, i palëvizur i BE është merita e secilit kandidat. Ky është kriteri bazë, mbi të vlerësohen kandidatët. Nuk ka asnjë kriter tjetër të shkruar për „merita grupi“,„grup shtetesh“ apo që „shtetet hyjnë në grup“.

Anëtarësia në strukturat euro-atlantike ka qenë interesi dhe objektivi kryesor, i palëzivur, politik, gjeostrategjik, kombëtar i Shqipërisë që nga viti 1992. Në këtë garë me BE ka qenë NATO që ka fituar! Negociatat e 35 kapitujve me BE-në, me Komisionin Evropian, do jenë mjaft të vështira, të komplikuara, të gjata. Korposi legjislativ i BE është disa qindra mijëra faqe. Ai rrok gjithë paketën e një shteti, të gjitha sferat e jetës.

Gjithçka, ose shumëçka, do varet nga ne: sa të qartë, të kuptueshem do tregohemi që kjo ndërmarrje e madhe IA VLEN për popullin tonë, vendin tonë. Do varet gjithashtu edhe nga sa të mirëkoordinuar, të përkushtuar, profesionistë, sa seriozë dhe të fokusuar do jemi ne kryerjen e gjithë përgatitjeve, me cfarë ritmi do ecim, sa mbeshtetje të plotë, pa luhatje, do ketë ky process nga lart-poshte dhe horizontalisht, nga të gjithë. Kërkohet doemos organizim i fortë, i dedikuar, për të qenë sa më të efektshëm!

Ndaj thashë se negociatat do vazhdojnë për një numër vitesh. Do ishte spekulim të jepja një numër të caktuar tani – kaq vite. Për mua është mjaft e qartë: negociatat do të jenë shumë herë më të vështira se gjithçka është bërë deri tani, në fazën e përgatitjeve ku ndodhet aktualisht vendi ynë.

Thatë se kjo rruge nuk ka filluar sot. Kur?

Shtylla kryesore për anëtarësim janë: forcimi dhe stabiliterti i institutioneve demokratike, respektimi i të drejtave themelore, shteti i së drejtës, forcimi i ekonomisë funksionle të tregut, dhe një numër jo i vogël fushash të tjera, shpërndarë në 35 kapituj. Prandaj përsëris – rruga është e gjatë, e vështirë, e komplikaur, me ngarkesa, intensitet shumë herë më të lartë se deri tani.

Shqipëria ka paraqitur kërkesën për anëtarësi në BE në prill 2009. Në tetor 2013, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i klandidatit për anëtarësi, në varësi të disa masave që duheshin në kuadrin e reformave kyç që duhej të nderrmerrte vendi. Dokumenti i Strategjisë të Zgjerimit i Komisionit Evropian 2013-2014 identifikoi pesë prioritete kyc për t’u adresuar para se mund të hapeshin negociatat e anëtarësimit. Në maj 2014, Qeveria e Shqipërisë miratoi një plan konkret ecurie për të strukturuar përpjekjet e Shqipërisë për të permbushur këto pesë prioritete. Në qershor 2014, Qeveria miratoi Planin Kombëtar të Integrimit Evropian për periudhen 2014-2020. Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit ne BE më 27 qershor 2014.

Në prill 2018 Komisioni Evropian theksoi rekomandimin që të hapeshin negociatatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kjo u bë realitet dy vjet më vonë, më 26 mars 2020, 11 vjet pas aplikimit. Udhëheqësit evropiane, më në fund, miratuan vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Komisionit iu kërkua të paraqiste një raport mbi një numër kërkesash që duhej të adresoheshin nga Shqiperia para mbajtes të Konferencës të parë Ndërqeveritare. Kjo do jetë hapja teknike e negociatave me BE-në. Kërkesat Shqipëria i plotësoi të gjitha, perfshirë: Gjykata Kushtetuese mori funksionalitetin e plotë, Gjykata e Larte dhe Byroja Kombëtare e Hetimit po ashtu, institucionet e posacme per luftën kunder korrupsionit dhe krimit të organizuar prej afro dy vitesh janë plotësisht funksionale dhe kanë rekorde, arritje të larta, të dukshme. Procesi i vetingut përparon, reformat në drejtësi dhe më gjërë po ashtu, dhe ecet pa asnjë ulje ritmi.

Në tetor 2020 Komisiponi miratoi paketën e zgjerimit. Por Maqedonia e Veriut u bllokua nga Bullgaria. Për rrjedhojë, fatkeqesisht, nga kjo është bllokuar edhe Shqipëria. Me pak fjalë, kjo është rruga nga 2009 deri sot.

Pra, ka katër vjet që Komisioni rekomandon hapjen e negociatave dhe ende nuk jane hapur negociatat teknike. BE thotë në mënyrë të përseritur se vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE. A nuk ka një dozë të lartë hipokrizie këtu, që ndryshe thotë dhe ndryshe bën?

Në politikë zakonisht nuk thuhet ajo që mendohet, kryesisht thuhet ajo që duhet të dëgjohet. Nuk e di nëse kjo është kështu në këtë rast, ose mund të karakterizohet si thatë ju. Vendit tonë iu kërkua të plotësojë kërkesa dhe ajo i plotësoi të gjitha, në kohë. Kjo u njoh edhe publikisht nga drejtues të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Eshtë radha e BE të tregojë se di t’i mbajë premtimet, të veprojë, siç pritet.

Zgjerimi sa po vjen dhe në sytë e njerëzve po bëhet diçka gjithnjë e më abstrakte. BE duhet të gjejë forcën të ngrihet mbi interesat e vockla, mbi elementet nacionalistë, politikë, të largohet nga këndvështrime të ngushta. BE duhet ta shohë zgjerimin me Ballkanin Perendimor si investim gjeostrategjik. Si mund të ketë Evropë stabël, të fortë dhe të bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Për mua është krejt e qartë, nuk mundet.

Situata aktuale tregon se inercia, oreksi i zgjerimit duket se ka rënë, po humbet. Kjo, do s‘do, po minon kredibilitetin e BE në Ballkanin Perëndimor. Procesi i zgjerimit duket si ato “fake news”, pamje e turbullt ndaj vendin tonë, ku mbështetja për BE vazhdon të jetë në kuotat më të larta.

Mendoni se nga vendet e BE se kjo situatë bllokimi shihet se duhet rregulluar me një farë urgjence, duhet arritur konsensusi, duhet të vijojë zgjerimi?

Them se mosarritja e konsensusit, mosmarrja e vendimit për Konferencën e parë Ndërqeveritare për Shqipërine nuk është mirë, ajo po i shkakton dëm kredibilitetit dhe parashikueshmërisë të krejt procesit të zgjerimit. Nuk bën sens të mos i jepet haku një partneri si Shqipëria që i ka plotësuar gjithë kërkesat e BE dhe është e gatshme të ecë perpara.

Marrëdhëniet e fqinjësisë të mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten cështje thelbësore të procesit të zgjerimit. Kjo nuk duhet të bëhet parakusht për fillimin e negociatave, aq me pak ndaj Shqiperisë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me konfliktin midis dy fqinjëve dhe miqve shumë të mirë të vendit tonë.

Çështje bilaterale ka dhe mund te gjesh kudo. Këto nuk duhet të dëmtpojnë kredibilitetin dhe cka pritet nga procesi i zgjerimit. Shqipëria ka angazhim dhe përkushtim për të vazhduar zbatimin e reformave, të plotësojë gjithë kriteret, dhe pret zbatimin e parimit të BE „mbi bazën e meritës“. BE duhet të respektojë angazhimet e saj, të ruajë në rajon forcën transformuese të saj duke inkurajuar procsein e reformave.

Eshtë e drejtë pyetja: deri kur do presim? Cdo pritje ka nje kufi. Eshtë krejt e justifikueshme kërkesa e Shqipërise që BE të miratojë sa më parë, pa hezitim, kuadrin negociues për Shqipërinë dhe datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Shënoj se prosperiteti, siguria, ekonomia, lirite, turizmi, transportet, etj., në BE janë të lidhura me vendet e Ballkanit Perëndimor. Të mirat, përfitimet, e BE u duhen komunikuar qartë njerëzve në vendet e BE-së.

Kam shpresë, ndonëse mjaft i kujdesshëm në shprehje, se brenda Presidencës sllovene do ketë mundësi të merret ky vendim. Zgjerimi është prioritet i lartë për Slloveninë. I tillë ishte edhe për presidencat gjermane dhe portugeze. Në projektin më të madh politiko-ekonomik në Evrope pas Luftës të Dytë Botërore, BE, Shqipëria ka kërkuar dhe dëshiron të jetë pjesë, që të japë edhe ajo kontributin e saj modest. Me Ballkanin Perendimor në BE, kjo e fundit, shtetet anëtare të saj, do bëhen dhe do jenë lojtarë më të fortë në arenën ndërkonbëtare. Procesi i zgjerimit duhet të rifitojë gjithë dinamizmin e humbur, makineria duhet të rivihet në lëvizje.

Eunews.al

Comments are closed.