I dërguari i SHBA-së në vizitë vendimtare për të lehtësuar tensionet Izrael-Hezbollah
I dërguari i posaçëm amerikan Amos Hochstein pritet të mbërrijë sot në Bejrut, në një vizitë vendimtare për të ulur tensionet midis Izraelit dhe lëvizjes Hezbollah të Libanit, sipas burimeve të qeverisë libaneze.
Organizata pro-iraniane Hezbollah është betuar për hakmarrje pasi Izraeli vrau komandantin e saj ushtarak, Fuad Shukr në Bejrut dy javë më parë.
Një sulm në shkallë të gjerë – pritej prej ditësh nga Hezbollahu ndaj Izraelit, ndoshta në koordinim me Iranin.
Shukr u vra disa orë përpara se Ismail Haniyeh, shefi i grupit militant palestinez Hamas, të vritej në Teheran, më 31 korrik.
Izraeli mori përgjegjësinë për sulmin në Shukr, por as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar rolin e tij lidhur me vdekjen e Haniyeh.
Në Bejrut, Hochstein do të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Nabih Berri, një aleat i ngushtë i Hezbollahut, dhe kryeministrin Najib Mikati.
I dërguari i SHBA-së është përpjekur të gjejë një zgjidhje diplomatike midis Izraelit dhe Hezbollahut prej disa muajsh, megjithëse vizitat e tij të përsëritura në rajon ende nuk kanë sjellë qetësi përgjatë kufirit jugor të Libanit.
Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor 2023, ka pasur përplasje të përditshme midis ushtrisë izraelite, Hezbollahut dhe grupeve aleate në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit.
Nga të dyja palët ka pasur viktima. Shumë banorë në të dy vendet kanë lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve.
Në vitin 2022, Hochstein ndërmjetësoi një marrëveshje për kufirin detar në Mesdhe midis Izraelit dhe Libanit.