×
Thursday, January 22, 2026

HONG KONG – Manjati i medias, Jimmy Lai dënohet për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare

December 15, 2025


Një gjykatë e Hong Kongut ka dënuar manjatin e medias, Jimmy Lai – duke e shpallur themeluesin e gazetës pro-demokracisë “Apple Daily” fajtor për komplot për bashkëpunim me forcat e huaja dhe për botim materialesh që shkaktojnë kryengritje.

Sipas vendimit të sotëm, 78-vjeçari u shpall fajtor për të tre akuzat, dy prej të cilave lidheshin me bashkëpunimin me forcat e huaja.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe tani përballet me një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm. Dënimi do të jepet në një datë të mëvonshme që ende nuk është caktuar.

Prokurorët kanë akuzuar Lai për shkelje të ligjit të diskutueshëm të sigurisë kombëtare, sipas të cilit aktivistë të tjerë “pro-demokraci” janë dënuar tashmë, duke e bërë vendimin e gjyqtarëve gjerësisht të pritshëm.

Lai, i cili gjithashtu mban një pasaportë britanike, themeloi “Apple Daily”, e cila u detyrua të mbyllej në vitin 2021 pasi autoritetet nisën hetime – sipas një ligji gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare të urdhëruaar nga Pekini.

Ligji kriminalizon veprimet e konsideruara nga Pekini si kryengritje, shkëputje dhe përmbysje.

Jimmy Lai, 78 vjeç ka kaluar tashmë më shumë se pesë vjet në burg – pasi është dënuar për çështje të tjera, dhe mbështetësit e tij kanë shprehur së fundmi shqetësim në rritje për shëndetin e tij.

Përpara vendimit, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve përsëriti gjithashtu thirrjen për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Lai. Grupi i lirisë së shtypit tha se Lai vuan nga diabeti dhe është mbajtur në izolim.

Gjyqi filloi në dhjetor të vitit 2023 dhe zgjati përtej 80 ditëve të planifikuara fillimisht, duke përfunduar në fund të gushtit – pas më shumë se 150 ditësh seancash dëgjimore.




Comments are closed.