×
Wednesday, December 8, 2021

Harris vizitë në Francë për të ulur tensionet

November 10, 2021

Nënpresidentja Kamala Harris filloi të martën një vizitë katër-ditore në Francë që synon përmirësimin e marrëdhënieve të acaruara me aleatin më të vjetër të Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet mes dy vendeve ranë në nivelin më të ulët historik në muajin shtator, kur Australia anuloi një marrëveshje prej 65 miliardë dollarësh për të blerë nëndetëse nga Franca, duke u bërë pjesë e një tjetër marrëveshjeje sipas së cilës, Australia do të ndërtojë nëndetëse bërthamore, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

Takimi i zonjës Harris me Presidentin francez Emmanuel Macron vjen pasi Presidenti Joe Biden i tha homologut Macron në Romë muajin e kaluar se Uashingtoni u tregua “i ngathët” në trajtimin e çështjes.

Nënpresidentja Harris do të vizitojë fillimisht Institutin Pasteur për të theksuar bashkëpunimin e gjatë shkencor mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës. Ajo do të takohet me shkencëtarë francezë e amerikanë që punojnë për të luftuar COVID-19 në të gjithë botën. Nëna e saj e ndjerë, gjithashtu shkencëtare, ka bërë kërkime për kancerin e gjirit në vitet 1980 me shkencëtarët e këtij instituti.

Pak minuta pas mbërritjes në Paris, zonja Harris tha se mezi pret që të zhvillojë diskutime produktive për të forcuar marrëdhënien mes dy vendeve.

Të enjten, ajo pritet të vizitojë varrezat e të rënëve amerikanë në Suresnes, që përkon me një ceremoni me rastin e ditës që shënon fundin e Luftës së Parë Botërore.

Të enjten zonja Harris pritet të përfaqësojë administratën e Presidentit Biden në Forumin e Paqes që mbahet në Paris dhe në një samit të premten në Libi, që i paraprin zgjedhjeve të muajit të ardhshëm që zhvillohen në këtë vend.

Eunews.al

Comments are closed.