Hapjen e kapitujve të negociatave, Osmani: Shqipëria, një hap më pranë një të ardhmeje të ndritur
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shqipërinë për arritjen e një momenti historik në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Osmani e ka cilësuar hapjen e kapitujve të anëtarësimit si një hap të madh drejt një të ardhme më të ndritur dhe të begatë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
“Urime Shqipërisë për arritjen e këtij momenti të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE! Hapja e kapitujve të anëtarësimit e afron Shqipërinë një hap më pranë një të ardhmeje më të ndritur dhe të begatë për të gjithë qytetarët e saj,” ka shkruar Osmani.
Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë që Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit të vazhdojnë avancimin në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Ajo nënvizoi se ky proces është thelbësor për sigurimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën.