×
Saturday, February 4, 2023

Hapet përfaqësia e Kompanisë Amerikane ‘Straife LLC’ në Tiranë, Balla: Ky bashkëpunim vjen në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhenieve diplomatike mes dy vendeve

December 3, 2022


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ishte sot i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Përfaqësisë së Kompanisë Amerikane ‘Straife LLC’ në Tiranë.

Në fjalën e tij Balla tha se ky bashkëpunim vjen pikërisht në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhenieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë si dhe theksoi rëndësinë që ‘Straife LLC’ ka duke vendosur zyrat e saj për Ballkanin pikërisht në Tiranë.

“Në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, ne kemi mundësinë që ta përbyllim këtë vit, këtë 100-vjetor, me prezencën e një kompanie që unë kam pasur mundësinë ta shof vetë nga afër, atë që ne e quajmë “Capitol Hill”, që është Kongresi Amerikan. Kjo tregon më së miri impaktin dhe rëndësinë që “Straife” ka në SHBA, dhe që tashmë ka vendosur që zyrën e saj për të gjithë Ballkanin ta ketë në Tiranë, nuk bëhet fjalë vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjithë Ballkanin ku natyrshëm nënvizoj faktin që edhe Greqia edhe Bullgaria, edhe Rumania si vende anëtare të Bashkimit Europian do të mbulohen nga zyra e Tiranës, e kjo tregon edhe rëndësinë që ka filluar të marrë Tirana”, tha Balla.

Gjithashtu Balla nënvizoi edhe njëherë rëndësinë që ka mbajtja e Samitit të 6 dhjetorit, i cili për herë të parë do të mbahet në Tiranë.

“Pak ditë nga ndajnë nga Samiti i 6 dhjetorit, mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në Tiranë dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm për rrugën Europiane të Shqipërisë. Ftesa ime për “Straife” është edhe për partnerin e tyre vendor, që të gjenden mundësitë e bashkëpunimit në fushën e legjislacionit Shqiptar në atë të ‘Acquis communautaire’, sepse rruga që kemi përpara është një rrugë shumë intensive. Kuvendi i Shqipërisë ka shumë nevojë për asistencë në këtë proces, kjo është ekspertizë e nivelit më të lartë botëror, e gjithëpranuar kjo nga të gjitha institucionet”, tha Balla.

Në fund Balla theksoi edhe njëherë se niveli i marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Shqipërisë sot është në nivelin më të mirë historik, kjo jo vetëm për shkak të shkëmbimeve apo partneritetit strategjik i cili funksionon në të gjitha fushat.



Comments are closed.