×
Wednesday, December 11, 2024

Hapet ekspozita “Tirana, 100-vjet kryeqytet”

February 13, 2020


Me rastin e 100-vjetorit të caktimit të Tiranës kryeqytet, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka organizuar një ekspozitë me dokumente dhe fotografi origjinale, si dhe vula fizike që ruhen në arkiv.

Në ceremoninë e hapjen së ekspozitës dyditore “Tirana, 100-vjet kryeqytet” në ambientet e Kalasë së Tiranës ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe studiues.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se në këtë qytet diferenca është bërë nga njerëzit pasionantë. “100 vite janë shumë për një njeri, ndërsa për një qytet janë shumë pak. Është vetëm fillimi, sapo kemi nisur dhe ju ftoj të gjithë ta shikojmë në këtë mënyrë. Do të jenë nipërit dhe mbesat tona ata të cilët do të shikojnë rezultatet e vendimeve që marrim sot”, u shpreh Veliaj. 

Veliaj theksoi se “Sot Tirana është 50 për qind e ekonomisë së vendit. Në 100 vjet një qytet që të ketë bërë këtë hov nuk ka pasur, ndaj dhe shprehja ku ka si Tirona vlen, sepse ky qytet ka treguar që ka zemër të madhe dhe është i hapur për të gjithë”.

“Fakti që kemi filluar të kemi dashuri për traditën, veshjet dhe vlerat tona më bën të ndihem që Tiranën do ta lëmë në duar të sigurta në 100 vitet e ardhshme”, tha Veliaj.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se është kënaqësi që të tregojnë këtë histori përmes dokumenteve dhe artefakteve të veçanta, të cilat i ruajnë koleksionistët në Shqipëri dhe institucioni i Arkivit.

“Kemi 100 vite të Tiranës si kryeqytet që nisi si rastësisht, por që përfundoi si zgjedhje e duhur dhe filloi të shndërrohej gradualisht në këtë metropol që kemi sot”, tha Bido.

Në ekspozitën kushtuar 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet ekspozohen dokumente origjinale, si njoftime për shpalljen e Tiranës kryeqytet të përkohshëm, statuti themeltar i Republikës së Shqipërisë i vitit 1925 ku Tirana shpallet zyrtarisht kryeqytet, fotografi, si dhe disa vula fizike të administratës së Tiranës ndër vite.

Sot shënohet 100-vjetori i Tiranës kryeqytet, pasi organet e shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi i Lushnjës u vendosën më 11 shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqytet i Shqipërisë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments