×
Friday, April 19, 2024

Greqia mesazh Shkupit/ Dendias: Kthejuni shpinën forcave destabilizuese që ju largojnë nga kursi europian

November 7, 2021


Athina zyrtare ndjek me vëmendje dhe jo pa shqetësim zhvillimet politike të orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Nuk është aspak i rastësishëm fakti që brenda disa ditëve, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dhendias ka dërguar përsëri një mesazh drejt Shkupit në intervistën e tij në gazetën Vradini.

Qeveritë shkojnë e vijnë por shtetet dhe detyrimet që ato kanë mbeten”, thekson ai midis të tjerash duke u bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të qëndrojnë të përkushtuara ndaj kursit të tyre europian pasi vetëm procesi i anëtarësimit do të sigurojë stabilitet, rritje ekonomike, prosperitet dhe reforma demokratike në vendet dhe popujt e rajonit”, ka thënë ai.

Pak ditë më parë, menjëherë pas deklaratave të kreut të opozitës në Maqedoninë e Veriut Kristian Mickoski në lidhje me Marrëveshjen e Prespës si dhe mbështetjen e kësaj partie nga forca politike Levica, e njohur për pozicionimin e saj kundër kësaj marrëveshje, Nikos Dhendias kishte bërë të njëjtën deklaratë.

Ai ripërsërit në intervistën e re nevojën për zbatimin e plotë dhe konsekuent të saj nga çfarëdo lloj qeverie që mund të vijë në Shkup pas krizës politike në vend që lindi si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve lokale, më pas të dorëheqjes së kryeministrit Zaev e tashmë me humbjen e shumicës parlamentare nga ana e koalicionit qeverisës.

Në të njëjtën kohë, Dhendias bën thirrje që t’u kthehet shpina disa forcave të izolimit dhe destabilizimit  aktive në rajon, përveç atyre evropiane, të cilat synojnë të largojnë Ballkanin Perëndimor nga Europa, duke ofruar gjoja ndihma, bashkëpunim ushtarak, madje edhe bashkëpunim në fushën e arsimit përmes organizatave që kanë lidhje me Vëllazërinë Myslimane .

Në të njëjtën intervistë, Dhendias ka dërguar mesazh edhe Anakarasë se Greqia do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj me respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjit të detit dhe i bën thirrje udhëheqjes turke të provojë në praktikë se dëshiron një dialog konstruktiv me Athinën dhe se Greqia nuk do të bjerë kurrë dakord me kërkesat irracionale neo-osmane të Turqisë.

Eunews.al



Comments are closed.