GREQI – Përmirësohet situata me zjarret në Atikë
Situata në luftën kundër zjarreve në Atikë është përmirësuar mëngjesin e sotëm.
Sipas Brigadës së Zjarrfikësve, zjarri nuk kishte më një front të vetëm dhe erërat nuk ishin aq të forta sa një ditë më parë.
Megjithatë, forcat zjarrfikëse u përballën me shumë zjarre të shpërndara në Varnavas, Marathonas, Nea Makri, Ano Souli dhe Penteli, ndërkohë që flakët po rindizeshin vazhdimisht.
Ndërkohë, një trup i djegur që besohet se është i një gruaje 60-vjeçare është gjetur brenda një pallati të djegur në Patima Halandriou, konkretisht në rrugën Stratonikis.
Gruaja ndodhej brenda një pallati ku kishte një biznes të vogël dhe nuk ishte larguar në kohë.
Zjarri që shpërtheu në Varnavas të dielën dhe u përhap në rajonin verilindor të Atikës është nën kontroll dhe situata është përmirësuar, tha zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve Vassilis Vathrakogiannis.
“Forcat zjarrfikëse tokësore mbeten të forta. Nuk kemi më një front zjarri, por disa xhepa zjarri aktiv, veçanërisht në zonën më të madhe të malit të Pentelit dhe liqenit të Marathonas”, shtoi ai.
Sipas informacioneve të Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit ishin fokusuar në frontet kryesore, Daou Pentelis, Palea dhe Nea Penteli, Dionyssos, Vrilissia dhe Afidnes.
Gjithashtu, zëdhënësi i Zjarrfikësve raportoi në një konferencë se ishin lëshuar 30 alarme – për evakuimin e banorëve nga Penteli i Ri dhe i Vjetër, Patima në Halandri, Patima në Vrilissia, Krassa Ano Vrilissia, si dhe nga Maratona e Dionysos dhe Kalentzi.
Varthakogiannis tha se zjarret në Ambelia (Farsala), Politika (Evia), Voni (Iraklio, Kretë), Aginara (Pyrgos, Ilia) dhe Ragio (Thesprotia) – ishin të gjitha nën kontroll, ndërsa ato në Xanthi, Paleopyrgos në zonën e Nafpaktos dhe Terpsithea në Ano Glyfada janë të përmbajtura.







