×
Thursday, March 27, 2025

Grenell pret ricaktimin e shpejtë të takimit midis Kosovës e Serbisë

June 25, 2020


I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se pret që takimi midis dy palëve të ricaktohet së shpejti.

Takimi i paraparë për datën 27 qershor në Uashington nuk dihet nëse do të mbahet, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka anuluar pjesëmarrjen, e më pas edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Deri te kjo ka ardhur pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Faleminderit kryeministër Hoti. E kuptoj vendimin tuaj dhe ne presim që ta ricaktojmë takimin së shpejti”, shkroi Grenell në një postim në Twitter.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë është parë si rinisje e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, pasi Kosova u ka vënë taksë 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia, për shkak të fushatës së saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Taksën që e ka vënë Qeveria e Ramush Haradinajt e ka zëvendësuar më 1 prill me masa reciproke tregtare ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë kundër masave ndaj Serbisë, duke thënë se ato e pengojnë dialogun midis palëve.

Me largimin e Kurtit dhe ardhjen e kryeministrit të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, Serbisë i janë hequr të gjitha pengesat tregtare.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments