Grenell: Gjermania po minon rolin frenues bërthamor të NATO-s
Ambasadori amerikan në Berlin Richard Grenell akuzoi Gjermaninë se po e minon rolin frenues bërthamor të NATO-s. Komentet e tij drejtoheshin ndaj partnerëve të rinj në koalicionin e Kancelares Angela Merkel, pas thirrjeve të disa prej tyre për çarmatim bërthamor.
Rolf Muetzenich, udhëheqës i grupit parlamentar të Social Demokratëve (SPD), bëri thirrje në fillim të këtij muaji për tërheqjen e të gjitha armëve bërthamore amerikane nga Gjermania, një pikëpamje që e ka përçarë partinë e tij me prirje të majta dhe që nuk përkrahet nga konservatorët e zonjës Merkel.
Në një shkrim për gazetën gjermane Die Welt, Ambasadori Grenell shkruante: “Në vend që të minohet solidariteti, i cili përbën bazën e frenimit bërthamor të NATO-s, është koha që Gjermania të përmbushë angazhimet e saj ndaj aleatëve dhe të investojë pa ndërprerë në pjesëmarrjen bërthamore brenda NATO-s”.
“Udhëheqja politike e Gjermanisë, veçanërisht ajo e SPD-së, tani duhet që ta bëjë të qartë se republika federale po i respekton këto angazhime dhe se po qëndron përkrah aleatëve të saj,” shtoi Ambasadori Grenell, i cili është gjithashtu drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare të Presidentit Donald Trump.
Komentet e tij shënojnë një tjetër moment të sikletshëm në marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit që janë tensionuar shpesh gjatë presidencës Trump. Presidenti i ka bërë presion Gjermanisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe e ka akuzuar Berlinin si “të kapur” nga Rusia për shkak të varësisë energjitike nga Moska.
Por komentet e zotit Grenell vijnë gjithashtu një ditë pasi Kancelarja Merkel foli për “prova të forta” se Rusia qëndron prapa një sulmi kibernetik ndaj zyrës së saj në Bundestag në vitin 2015, për të cilin ajo u shpreh se “i ka dhembur shumë”.
Zoti Grenell tha: “Rreziqet që kërcënojnë paqen në Evropë nuk janë një ‘anakronizëm’, siç duan të na mbushin mendjen disa njerëz”.
“Ndërhyrja ruse në Ukrainë, dislokimi nga Rusia në periferi të Evropës i raketave të reja, të afta të mbajnë mbushje bërthamore, si dhe aftësitë e reja të Kinës, Koresë së Veriut dhe vendeve të tjera, e bëjnë të qartë se kërcënimi është shumë real”, shkruante ai.
Në marrëveshjen e koalicionit midis konservatorëve të zonjës Merkel dhe SPD-së përmenden bisedimet e suksesshme për çarmatimin, si parakusht për tërheqjen e armëve bërthamore taktike të stacionuara në Gjermani dhe në Evropë.
Por, debati mbi armët bërthamore mori shkas nga njoftimet muajin e kaluar se Ministria gjermane e Mbrojtjes dëshironte të blinte 45 avionë luftarakë F-18
nga kompania amerikane Boeing për të zëvendësuar avionët e vjetëruar Tornado dhe se kjo ministri synonte të merrte përsipër detyrën e ushtrisë gjermane për të ashtuquajturën ndarje e barrës bërthamore, sipas të cilës avionët e rinj do të bartnin bomba bërthamore amerikane në rast krize.
Nëse Gjermania nuk i ble avionët e rinj, ndarja e barrës bërthamore do të merrte fund dhe avionët Tornado do të nxirreshin jashtë përdorimit në vitin 2030.
Eunews.al