Gjonaj: Procesi i anëtarësimit në BE, proces shtetformues për Shqipërinë




Shqipëria ka treguar vullnet dhe aftësi politike për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të përmbushur kushtet e Bashkimit Europian”.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ishte sot pjesë e e panelit virtual të organizuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung së bashku me Katarina Barley, zëvendëspresidente e Parlamentit Europian dhe ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Bojan Maricik.
Gjonaj theksoi se në takim, “diskutuam mbi mekanizmat për të siguruar sundimin e ligjit në BE dhe vendet kandidate, si dhe rëndësinë e mbështetjes së BE-së për rajonin dhe vlerat europiane që ne aspirojmë dhe na bashkojnë me vendet e BE-së”.
“Në këtë panel theksova se Shqipëria ka treguar vullnet dhe aftësi politike për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të përmbushur kushtet e Bashkimit Europian. Reforma në drejtësi mbetet një nga reformat më gjithëpërfshirëse të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor, e pashembullt dhe për vendet anëtare të BE-së”, u shpreh Gjonaj.
“Kuadri ligjor, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë tashmë është i kompletuar. Pjesë e Reformës janë mekanizmat dhe hapat e ndërrmarrë për të luftuar korrupsionin si ngritja e strukturës së posaçme antikorrupsion, vetingu i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe rritja domethënëse e pagave të sistemit të drejtësisë. E gjitha kjo për t’u dhënë qytetarëve tanë një sistem të drejtësisë të pavarur, transparent, të paanshëm, ku edhe influenca politike është prerë në mënyrë drastike. Ne jemi të vetëdijshëm se konsolidimi i shtetit të së drejtës do të kërkojë kohë, por Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme”, tha Gjonaj.
“Jemi mirënjohës për të gjithë mbështetjen politike, financiare dhe asistencën teknike të dhënë nga Bashkimi Europian, të cilët kanë vlerësuar përparimet e Reformës në Drejtësi dhe kanë qënë partnerët tanë përgjatë këtij rrugëtimi aspak të lehtë për të vendosur themelet e shtetit të së drejtës”, shtoi Gjonaj.
Njëkohësisht, u shpreh Gjonaj, “vlerësova se është e rëndësishme që kushtëzimi dhe plotësimi i rekomandimeve të jenë të pandara dhe që vendet e BE të mos tërhiqen nga respektimi i premtimeve të tyre, nëse përmbushim kushtet”.
“Procesi i anëtarësimit në BE ka qenë një proces shtetformues për Shqipërinë dhe një proces stabilizues për rajonin, ne jemi pjesë e Europës si gjeografikisht, ekonomikisht, politikisht dhe po ashtu në aspektin social, tashmë ka ardhur koha që t’i bashkohemi familjes europiane edhe formalisht”, theksoi Gjonaj.
Eunews.al
