×
Friday, October 11, 2024

Gjobiten dy pika karburanti, Rama: Çdo ngritje për fitim në kurriz të popullit do ndëshkohet 

March 20, 2022


Kryeministri Edi Rama deklaro se sot janë kapur dy pika karburanti në Tiranë dhe Vlorë me faturime mbi çmimin e caktuar për të gjithë. Subjektet janë gjobitur me maksimumin ligjor.

Rama bën të ditur se subjektet janë gjobitur me maksimumin ligjor.

Kreu i Ekzekutivit thekson se “duke nisur nga java tjetër do të hyjë në fuqi sekuestrimi në vend i çdo pike karburanti që ngre qoftë edhe një qindarkë çmimin e shpallur paraprakisht nga Bordi i Administrimit”.

“Boll i ngre çmimet papushim kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, çdo ngritje për fitim në kurriz të popullit do të ndëshkohet siç e kërkon kjo gjendje lufte në tregjet ndërkombëtare”, shprehet Rama.

Bordi Kombëtar i Transparencës vendosi tre ditë më parë që çmimi i shitjes me pakicë i naftës për periudhën 16 deri më 21 mars do të jetë 203 lekë për litër.

Ky bord vendosi që çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 199 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë të jetë 193 lekë/litër,  çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 203 lekë/litër ndërsa i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 të jetë 206 lekë/litër.

Gjithashtu u vendos që çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz të jetë i pandryshueshëm, 93 lekë/litër.

Bordi i Transparencës njoftoi se do mblidhet përsëri ditën e hënë, datë 21.03.2022, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ. Jemi në monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm të situatës, për të garantuar zbatimin e plotë të vendimeve të Bordit të Transparencës”, ka theksuar Bordi i Transparencës i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë ose pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.




Comments are closed.