Gjermania merr presidencën e BE-së, Von der Leyen rendit përparësitë e Komisionit
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbajti një fjalim me rastin e marrjes së presidencës së Këshillit Europian nga Gjermania për gjashtë muajt e ardhshëm, menjëherë pas fjalimit të kancelares Angela Merkel.
Kriza ekonomike e shkaktuar nga coronavirusi, mbrojtja e klimës, dixhitalizimi, emigrimi, inovacioni dhe siguria e vendeve europiane ishin disa nga sfidat që renditi presidentja e Komisionit si përparësi për vitet e ardhshme.
“Presidenca e Këshillit nuk zgjidhet, por përcaktohet nga një sistem strikt rotacioni. Gjermania tani ka radhën, me sfida që s’mund t’i parashikojë njeri. Pritshmëritë nga presidenca gjermane janë të larta, por kjo është diçka pozitive, sepse tregon që kemi besim te ju”, i tha von der Leyen kancelares Angela Merkel.
Presidentja e Komisionit u përqendrua menjëherë te kriza e coronavirusit dhe pasojat e rënda që po krijon për ekonominë e BE-së.
“Zonja e zotërinj, kriza e coronavirusit ka vënë shumë gjëra në mëdyshje, si nga ana ekonomike, ashtu dhe nga ajo sociale. Ka ndikuar shumë gjëra që i kishim si të mirëqena. Kjo zhvillohet në një kohë kur strukturat që kanë ekzistuar për shumë kohën bëhen papritur të brishta. Po nisim të rimendojmë planet për të ardhmen e Europës sonë, që ka nevojë të ndryshojë vazhdimisht. Sfida që do të keni ju me presidencën, dhe të gjithë ne në gjashtë muajt e ardhshëm, s’mund të ishte më e jashtëzakonshme. Në 6 muajt e fundit kemi humbur më shumë se 100 mijë jetë njerëzish për shkak të COVID-19. Kemi hyrë në recesionin më të madh në 100 vitet e fundit. Parashikimet për muajt e verës treguan se ekonomia do të tkurret me 8% sivjet, me vetëm një rritje të vogël në vitin tjetër”, tha ajo.
Von der leyen e krahasoi krizën e tanishme ekonomike me atë të 10 viteve më parë. Ajo kujtoj se sistemi i punëve me orar të shkurtuar dhe me ulje page gjatë kohës së krizës bëri që të shpëtoheshin shumë vende pune, e që disa biznese të dilnin edhe më të forta pas krizës.
“Kjo krizë është më e thellë dhe më e gjerë se ajo që patëm 10 vite më parë. Por ajo që patëm 10 vite më parë është ende e pranishme në kujtesën e njerëzve. Disa nga vendet anëtare, gjatë asaj krize, panë të rritet papunësia mes të rinjve me nivele shumë të shpejta. Panë të rinj të largohen nga shtëpitë në kërkim të mundësive për punë në vende të tjera. Në vende të tjera të unionit, ekonomia mbështetej nga investime publike të forta, të nisura që në fillim të krizës. Njerëzit mundën të mbanin vendet e punës. Në këtë rast u zbatua në shkallë të gjerë koncepti i punës me orë të shkurtuara. Kjo bëri që pas krizës, disa të ishin edhe më të fortë se përpara saj. Duhet të marrim mësime nga kjo dhe këtë herë duhet ta bëjmë bashkë. Nëse e bëjmë siç duhet, mund të dalim më të fortë nga kjo krizë, falë një synimi të pëbashkët të BE-së, dhe falë të ardhmes së bllokut. Kjo presidencë ka zgjedhur një fjalë në zemër të programit. ‘Së bashku’. Të gjithë bashkë. Ky është motori i bashkimit tonë”, tha Von der Leyen.
Presidentja theksoi rëndësinë e kuadrit financiar shumëvjeçar për shtatë vitet e ardhshme, si dhe përpjekjet për të luftuar ndryshimet e klimës.
“Pika e dytë e asaj që dua të them, është që të mos lihet pas dore kuadrit financiar shumëvjeçar”, tha ajo. “Buxheti ‘BE-ja e brezit të ardhshëm’ është për krizën akute, por Kuadri Financiar Shumë-vjeçar do të qëndrojë. Është mjeti më i rëndësishëm që kemi për të vënë në zbatim qëllimet tona afatgjata: kërkimet, inovacionin, migrimi, politikat e jashtme, sigurinë, etj. Këto politika kërkojnë vlerë të shtuar europiane dhe një buxhet të fortë 7-vjeçar për t’i sjellë të gjitha në jetë.”
Eunews.al