Qeveria gjermane po shqyrton shkallën e ndihmës së saj për Izraelin, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz mes thirrjeve për një embargo armësh – për shkak të luftës në Gazë.
“Ne jemi në kontakt dhe dialog të ngushtë me qeverinë izraelite”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, në Turku.
Ndërsa, Berlini e ka mbështetur me vendosmëri Izraelin që nga sulmet e 7 tetorit 2023 nga grupi militant palestinez Hamas – udhëheqësit gjermanë i kanë bërë thirrje ditët e fundit Izraelit të lejojë aksesin e ndihmës humanitare në Gazë – dhe të mbështesë popullsinë civile të territorit.
I pyetur nese Gjermania do të pezullonte dërgesat e armëve në Izrael, Merz tha se shkalla e mbështetjes ishte objekt i konsultimeve të brendshme brenda qeverisë gjermane që ende nuk janë finalizuar.
“Së pari do të diskutojmë ndihmën për Izraelin – brenda qeverisë federale – dhe më pas do të marrim vendime”, tha kancelari, i cili mori detyrën në fillim të këtij muaji.


