×
Sunday, September 19, 2021

Gazeta zvicerane e shkruan në shqip: Ju lutem vaksinohuni!

August 28, 2021

Gazeta e njohur zvicerane “Blick” në faqen e saj të parë në gazetën e shtypur shkroi edhe disa fjalë shqip.

Arsyeja është thirrja për vaksinimin e komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër, për të cilin po raporton se ndikoi në rritjen e numrit të infeksioneve me COVID-19. “Ju lutem vaksinohuni!”, iu drejtua gazeta shqiptarëve.

Numri i pacientëve të shtrirë në spital në Zvicër është rritur me shpejtësi kohëve të fundit, sipas Patrick Mathys, menaxher i krizave në Zyrën Federale të Shëndetit Publik. Në një konferencë për media ai ka thënë se numri i pacientëve më koronavirus në spital ishte 30 herë më shumë që nga korriku. Sipas statistikave, të mërkurën mbi 26 përqind e të gjithë shtretërve të kujdesit intensiv ishin zënë nga pacientët me COVID-19, të cilët janë dukshëm më të rinj në moshë krahasuar me valën e parë.

Spitalet janë të shqetësuar sidomos për udhëtarët që po kthehen nga pushimet. Javën e kaluar, zëdhënësi i spitalit të kantonit St. Gallen tha për Blick se shumica e pacientëve nuk janë të vaksinuar dhe janë të kthyer nga pushimet.

Sipas statistikave, më shumë se një e treta e të shtruarve në spital kanë treguar se për pushime kanë qëndruar në një vend të Europës Juglindore në kohën kur e kanë marrë infeksionin, kryesisht në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut.

Lars Haefner, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, nuk është shumë i befasuar për këtë.

“Numri i infeksioneve është shumë më i madh në Kosovë, për shembull. Fatkeqësisht, rregullat e higjienës dhe distancës nuk respektohen rreptësisht atje”, ka thënë ai për Blick.

Gazeta zvicerane duke cituar të dhënat e OBSH-së thotë se në vendet ballkanike përqindja e të vaksinuarve është shumë më e ulët dhe se mungon gatishmëria nga qytetarët.

Sipas Haefner, shqiptarët derisa ishin në pushime nuk lexuan mediat e Zvicrës dhe e patën të vështirë të dinin për procesin e vaksinimit në Zvicër. Ai gjithashtu tha se shtypi shqiptar bën thirrje për vaksinim, por zor që ndihmon në ata të Zvicrës.

Eunews.al

Comments are closed.