×
Monday, July 15, 2024

Gara në PD dhe hija e rëndë e Sali Berishës

May 25, 2021


Nga Skënder Minxhozi/

Ka lënë një shije gjysëm të thartë deklarata e kandidatit më të ri në garën për kryetarin e PD, Agron Shehajt. I ekspozuar si një frymë e re në parti dhe si një ofertë që shënon një thyerje të qartë me të shkuarën berishiste, Shehaj megjithatë ka ngurruar të thotë çfarë mendon për lëmshin më të ngatërruar politik që opozita ka aktualisht në tryezë: shpalljen non grata të ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit dhe deputetit të zgjedhur Sali Berisha.

Përtypja nëpër dhëmbë e fjalëve nga Agron Shehaj, kandidati ndoshta më i papërfshirë me të shkuarën e PD, tregoi jo vetëm të vërtetën banale se Berisha vijon të ketë hije të rëndë brenda të djathtës. Këtë e kanë treguar rregullisht vitet pasi ai ka dhënë dorëheqjen formale nga drejtimi i partisë, po aq sa e tregon edhe dënimi ekzemplar publik që nga ana e SHBA-ve. Nuk goditet aq fort një politikan që s’ka gjë në dorë!

Që Berisha është një patate e nxehtë në duart e Bashës dhe konkurentëve të tij për kreun e partisë, këtë e tregojnë deklarimet e tyre publike. Të gjithë ata, kur janë pyetur çfarë mendojnë për këtë gjest të fortë të amerikanëve, e kanë nisur pak a shumë përgjigjen me fjalët “Berisha ka dhënë jashtë mase për vendin, na ka futur në NATO…” etjetj. A thua se, fjala vjen, edhe kryeministri Sanader, i dënuar me burgim për korrupsion, nuk e kishte futur vendin e tij në NATO në një kohë me Shqipërinë!

Gara për kreun e partisë duket se po e shpërfill temën më qëndrore dhe më delikate që ka sot në axhendë Partia Demokratike: si të sillet me dënimin amerikan të Sali Berishës. Si të pozicionohet ndaj pasojave të këtij vendimi, ndaj presionit zyrtar të Uashingtonit, por edhe ndaj standarteve që vetë demokratët i kanë ndërtuar me duart e tyre. Kur Tom Doshi e Vangjush Daku merrnin të njëjtin trajtim nga SHBA, PD ngrinte zërin në kupë të qiellit për t’i nxjerrë këta politikanë nga sistemi, duke i damkosur ata me fjalët më të rënda. E gjithë PD duket e fokusuar sot në rrëzimin e këtij narracioni që ka ndërtuar me duart e veta.

Më tej akoma, PD duhet të gjejë një pozicionim “në fije të perit”, kur vjen puna tek qëndrimet e përditshme,  mes Berishës dhe SHBA – dy skaje që tashmë nuk i lidh më asgjë mes tyre. Do të jetë kurioze të shihet sesi kryetari i ardhshëm i partisë do të konsumojë fjalorin e njohur plot lajka e lule ndaj Amerikës, e nga ana tjetër do të ketë pas shpine liderin historik të partisë, që militon në forumet drejtuese, institucionet, mediat e grupin parlamentar.

E meqë ra fjala tek grupi parlamenti, një tjetër temë e nxehtë konkrete që garuesit për votimin e 13 qershorit s’po e përmendin askund, është marrja ose jo e mandatit parlamentar nga Berisha. Vetë ish-kryeministri u shpreh se ai do të jetë në Kuvend dhe se nuk ka asnjë dyshim rreth këtij fakti. Një rrethanë e tillë do e përfshinte edhe formalisht PD në luftën kundër Amerikës që Berisha ka ndërmend të provokojë nëpër gjykatat e huaja në muajt që do të vijnë. Hyrja në parlament e Berishës do të rrëzonte zhurmshëm gjithçka PD e kreu i saj kanë thënë kto vite për pjesëmarrjen në politikën aktive të personave publikë të damkosur nga SHBA.

Sali Berisha vijon të mbetet një mal i lartë në PD. Më shumë për keq sesa për mirë, pas vendimit amerikan për t’i ndaluar hyrjen në SHBA. Kandidatët sfidantë për kreun e partisë nuk mund ta injorojnë elefantin në mes të dhomës. Po vepruan kështu do të jenë thjesht një zgjatim i Lulzim Bashës. Pse ja vlen të ketë garë atëhere?!

Eunews.al



Comments are closed.