×
Friday, October 11, 2024

Fuga: Misioni i Agjencisë për Media dhe Informim, transparenca 

April 14, 2022


Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me drejtorin e Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga.

Nënkryetari i komisionit, Petro Koçi informoi se promotore e kësaj seance është opozita dhe objekti i seancës është qëllimi i krijimit të Agjencisë, struktura dhe mënyra e funksionimit të saj.

I pranishëm për të informuar komisionin mbi objektivat dhe mënyrën e funksionimit të kësaj agjencie, Fuga u ndal tek informimi i publikut, informimi i medias, si dhe informimi i qeverisë për institucionet.

Endri Fuga në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvend

Sipas tij, “komunikimi me publikun për qeverinë është një pikë e rëndësishme”.

“Agjencia ka përgjegjësi të organizojë punën për të informuar dhe komunikuar me publikun dhe median, si dhe për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet qeveritare mbi çështjet me interes publik. Agjencia ka gjithashtu si mision të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore”, shtoi Fuga.

Ai tha se modeli është i ngjashëm me atë të agjencisë gjermane federale për shtypin dhe shtoi se AMI ka disa ndryshime dhe është më modeste si nga infrastruktura, dhe nga numri i punonjësve.

Sipas tij, “kjo agjenci ka për qëllim të lehtësojë punën e gazetarëve”.

Lidhur me realizimin e sondazheve, Fuga tha se, agjencia e krijuar vetëm tre muaj më parë, nuk ka për qëllim të realizojë asnjë sondazh politik.

Sa i përket pyetjes se deputetëve mbi monitorimin e medieve, Fuga u shpreh se kjo është një praktikë që kryhet nga të gjithë, ministritë, opozita apo ambasadat, dhe ka për qëllim identifikimin e problematikave që përçon media, në mënyrë që qeveria t’i përgjigjet në kohë.




Comments are closed.