×
Friday, October 22, 2021

Forum/ Kur duhet të ndërhyjnë shtetet, në punët e vendeve të tjera?

August 22, 2021

Geraint Hjuxh, lektor i historisë diplomatike dhe ushtarake në Kolegjin Mbretëror të Londrës:

Është një çështje e ndërlikuar. Karta themeluese e Kombeve të Bashkuara e 26 qershorit 1945, shpreh pa mëdyshje parimin e barazisë sovrane të anëtarëve të saj. Argumenti se një shtet ka të drejtën të drejtojë punët e veta të brendshme pa ndërhyrje të jashtme, cilësohet nga kritikët e ndryshimit të regjimeve përmes ndërhyrjes nga jashtë, si themeli i një rendi paqësor botëror.

Çdo shkelje e këtij parimi përmes ndërhyrjes ushtarake, rrezikon të minojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe të çojë në një luftë endemike, siç është parë nga pasojat e rrëzimit të Sadam Huseinit nga pushtimi amerikan dhe britanik i Irakut në vitin 2003.

Kundër-argumenti është se ndryshimi i regjimit mund të jetë një domosdoshmëri strategjike ose morale, siç ishte rasti i Luftës së Dytë Botërore, dhe këmbëngulja e fuqive aleate për dorëzimin e pakushtëzuar të Gjermanisë naziste.

Zmbrapsja e mizorive naziste -kryesisht Holokaustit – frymëzoi Konventën e vitit 1948 mbi Gjenocidin, që krijoi një imperativ moral për bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjë për të parandaluar krimet e ardhshme kundër njerëzimit.

Lidhur me luftën civile të vazhdueshme në Siri, mbështetësit e Bashar Al-Asadit (sidomos Rusia dhe Irani) argumentojnë se çdo ndërhyrje e jashtme kundër regjimit të tij është në thelb i paligjshëm dhe do të destabilizonte Lindjen e Mesme.

Por krimet e Asadit kundër njerëzimit, sikurse është përdorimi i armëve kimike kundër civilëve, mund të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për shkak të kaosit të shkaktuar nga kriza e refugjatëve sirianë dhe shfaqja e të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Katarina Rietzler, pedagoge e historisë së SHBA-së në Universitetin Saseks:

Ekziston një traditë e mos-ndërhyrjes amerikane që e ka gjenezën që në fillimet e republikës amerikane. Në vitin 1821, Sekretari i Shtetit Xhon Kuinsi Adams deklaroi se Amerika “nuk do të shkojë jashtë vendit në kërkim të përbindëshave për t’i shkatërruar” dhe duhet të refuzojë të bëhet “diktatorja e botës”.

Por teksa nisi të zgjerohet, SHBA ndërhyri me forcë në punët e amerikanëve vendas dhe Meksikës fqinje, si dhe fuqive perandorake evropiane me interesa në Amerikën e Veriut. Në fundin e shekullit XIX, burrështetasit amerikanë filluan të eksperimentojnë me gjuhën e re të ndërhyrjes humanitare.

Presidenti Uilliam Mekinli përmendi “kauzën e humanizmit” kur vendosi të ndërhyjë në Kubë në vitin 1898. Fitorja amerikane mbi sundimtarin kolonial të Kubës, Spanjën, e shndërroi SHBA-nënë një fuqi botërore, Kubën në një protektorat amerikan, dhe Gjirin Guantanamo në një bazë detare që mbetet pjesë e një rrjeti prej më shumë se 600 bazash ushtarake amerikane që ndodhen sot në territore të huaja.

Sot, mos-ndërhyrja po gëzon popullaritet të ri në Shtetet e Bashkuara. Kjo pjesërisht për shkak të luftërave të kushtueshme, të gjata dhe të pasuksesshme në Afganistan dhe Irak pas sulmeve 11 Shtatorit. Në të gjithë spektrin politik, ideja se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë edhe kur siguria amerikane nuk kërcënohet drejtpërdrejt, duket gjithnjë e më e dyshimtë.

Rozmari Fut, profesore dhe studiuese e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit:

Karta e OKB-së përmbante një koncept të sovranitetit shtetëror, që nënvizonte parimin e mosndërhyrjes në çështjet brenda juridiksionit të brendshëm të shteteve. Por nëvitin 1999, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, tha se bashkësia globale nuk mund të rrijë duarkryq duke parë shkeljet e mëdha dhe sistematike të të drejtave të njeriut.

Pavarësisht ngurrimit të shteteve për të mbështetur këtë qëndrim, në shtator 2005 anëtarët e OKB -së ranë dakord për “përgjegjësi për të mbrojtur popullsinë nga krimet mizore masive (RtoP)”, pra nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimit. Pra, nëse shtetet “dështonin dukshëm” në mbrojtjen e qytetarëve të tyre, aktorët e jashtëm kishin për detyrë t’i jepnin një “përgjigje në kohë dhe vendimtare”, nëse mandatohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së aplikoi RtoP në Libi në marsin e vitit 2011, kjo solli në fund përmbysjen dhe vrasjen e kolonel Muamar Gadafit. Ndërsa pak njerëz vajtuan vdekjen e këtij të fundit, pasojat e luftës për popullsinë libiane kanë qenë thellësisht shqetësues. RtoP ka ngritur dilema etike që mbeten ende të pazgjidhura.

Xhefri Roberts, profesor i historisë në Kolegjin Universitar Kork, Irlandë:

Disa argumentojnë se shtetet që shkelin të drejtat e njeriut, e humbasin të drejtën e mosndërhyrjes në punët e tyre të brendshme. Edhe më radikale është pikëpamja se vetëm shtetet që konsiderohen “të mira”, sipas normave të demokracisë liberale perëndimore, meritojnë të drejtën e sovranitetit.

Kjo logjikë e mbështet intervencionizmin liberal, pra projektimin e vlerave perëndimore në shtetet e tjera me mjete ushtarake. Por pasojat e padëshiruara të atyre të ashtuquajturave ndërhyrje humanitare, janë pafundësisht katastrofike.

A mund të qëndrojmë duarkryq, kur qeveritë kryejnë gjenocid dhe diktatorët mostruozë i shtypin qytetarët e tyre? Po mundemi. Dhe duhet, në rast se duam të shmangim mosbesimin, ndërhyrjen dhe kaosin e një sistemi pa sovranitet.

Një qëndrim i tillë nuk përjashton mundësinë që shtetet apo bashkësia ndërkombëtare të protestojë kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut. Dhe as nuk përjashton veprimin e qytetarëve përtej kufijve kombëtarë për të mbështetur individët dhe grupet e shtypura.

J.Simon Rof, lektor në studimet diplomatike dhe ndërkombëtare në Universitetin SOAS, Londër:

Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara “asgjë që nuk përmbahet në këtë Kartë nuk do t’i autorizojë Kombet e Bashkuara të ndërhyjnë në çështje që janë në thelb brenda juridiksionit të brendshëm të çdo shteti”.Pra edhe kur ndodhin kriza, ose kur një shtet persekuton njerëzit e vet, si në Kamboxhia midis viteve 1975-1979, kur vdiqën më shumë se 1.5 milion njerëz.

Kjo qasje fokusohet në konceptin e sovranitetit, që për shumicën e njerëzve do të thotë kontroll mbi një territor. Ne shpesh mendojmë se ato territore kanë kufij të vizatuar në një hartë, por kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ka pasur një periudhë kur njerëzimi i konsideronte thjesht të panevojshëm kufijtë midis politikave.

Edhe sot, ka aspekte të ndryshme të jetës së shekullit XX, ku vijat ndarëse nuk kanë shumë kuptim: për shembull në internet apo në hapësirë. Sidoqoftë, shtetet e ruajnë me xhelozi “sovranitetin”. Dy shembujt më të cituar të ndërhyrjeve ushtarake të OKB-së janë operacioni në Kore 1950-1953, dhe dëbimi i Irakut nga Kuvajti në vitet 1990-199.

Ndërhyrja shpesh mendohet në aspektin ushtarak: tanket që kalojnë pranë një pike kufitare, siç ishin ndërhyrjet sovjetike në Hungari në vitin 1956 dhe Çekosllovaki në 1968, apo ndërhyrjet në shtetet e dështuara për të ndihmuar në zbutjen e krizave humanitare, siç është Operacioni Restore Hope UNITAF në Somali (1992-1993). Por ndërhyrja mund të nënkuptojë ndërhyrje në tregjet ndërkombëtare të parasë apo në qeverisjen dixhitale. / HistoryExtra 

Eunews.al

Comments are closed.