×
Friday, December 3, 2021

Fondi i Ballkanit Perëndimor çel thirrjen e katërt për aplikime

November 9, 2021

Fondi i Ballkanit Perëndimor ka çelur që prej datës 8 nëntor zyrtarisht aplikimin për të gjithë subjektet e interesuara në Ballkanin Perëndimor, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

Me anë të një deklarate për shtyp, WBF bën të ditur se aplikimet mund të realizohen përmes sistemit të automatizuar në faqen zyrtare të Fondit.

WBF thekson se, kjo është thirrja e katërt që prej themelimit të WBF në vitin 2017, por e para që gëzon një mbështetje të rëndësishme nga Bashkimi Europian, i cili bashkëfinancon grantet rajonale përmes skemës IPA – Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit.

Organizatat e Shoqërisë Civile janë përfitueset e kryesore të programit të përbashkët BE/WBF, por përfitues granti potencialë përfshihen edhe shoqatat, fondacionet, organizatat jo-fitimprurëse, rrjetet rajonale, entitetet lokale dhe rajonale, si dhe shoqatat e biznesit.

Ekipi i WBF do të udhëtojë gjatë kësaj periudhe për të takuar përfituesit potencialë në një seri sesionesh informuese gjatë të cilave palët e interesuara do të informohen mbi mënyrën se si duhet të aplikojnë, si të formojnë partneritete me ortakë të ngjashëm në rajon, e shumë më tepër.

Në Shqipëri është parashikuar që info-sesionet të mbahen në Korçë më 15 nëntor ora 11.00,  në Amfiteatrin e Universitetit Fan Noli dhe në Tiranë më 23 nëntor ora 12.30, në Hotel Rogner, salla Antigonea.

Fondi i Ballkanit Perëndimor, një organizatë e themeluar nga Ministritë e Jashtme të WB6, është një mekanizëm unik i bashkëpunimit rajonal dhe shenjë e frymës së re të bashkëpunimit që po ngrihet në rajon.

Në thirrjet e mëparshme për propozime në rajon (2017-20), WBF tërhoqi 890 aplikime nga Organizatat e Shoqërisë Civile dhe palëve të tjera, me një total 3.430 organizata dhe mbi 10 mijë qytetarë të përfshirë.

Falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, thirrja e katërt për propozime do të jetë më e madhja ndonjëherë në numrin e projekteve dhe vlerën financiare të mbështetur.

Thirrja do të mbetet e hapur deri në datën 23 Dhjetor 2021, për një total prej 45 ditësh.

Eunews.al

Comments are closed.