×
Friday, December 3, 2021

“Fishing Blue”/ Takim ndërgjegjësimi mbi grumbullimin dhe interpretimin e të dhënave të peshkimit të qëndrueshëm

November 11, 2021

Në ambientet e Fakultetit të të Bujqësisë dhe Mjedisit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, u zhvillua takimi i ndërgjegjësimit mbi grumbullimin dhe interpretimin e të dhënave të peshkimit të qëndrueshëm.

Në aktivitet morën pjesë Zv. Ministri Roland Kristo, Zv. Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit Z. Edmond Hala, Z. Lucio Trifiletti Drejtues i Ekipit të Projektit Fishing Blue “Mbështetje për Sektorin e Peshkimit në Shqipëri” si dhe ekspertë mbi grumbullimin dhe interpretimin e të dhënave të peshkimit nga Italia dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Zëvendës Ministri i Bujqësisë theksoi rëndësinë e grumbullimit dhe interpretimit të të dhënave të peshkimit  për një menaxhim të qëndrueshëm të peshkimit. Angazhimi në këtë drejtim sipas tij është thelbësore jo vetëm për shkak se është kërkesë e organizmave si Bashkimi Evropian apo Komisioni i Përgjithshëm për Peshkimin në Mesdhe dhe Detin e Zi por mbi të gjitha ky grumbullim na mundëson të hartojmë politika të mirfillta në sektorin e peshkimit sidomos në drejtim të përcaktimit të kuotave. Në fund të fjalës së tij Z. Kristo ftoi studentët e pranishëm që të angazhoheshin në studimin në degën e “Akuakulturës dhe menaxhim peshkimi” pasi studentët ekselentë do të kenë mundësi të punësohen në sektorin e peshkimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Zv. Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit Z. Edmond Hala në fjalën e tij theksoi se Universiteti Bujqësor i Tiranës në historinë e tij 70 vjeçare, ka hapur prej dy dekadash degën e “Akuakulturës dhe menaxhimit te peshkimit”, i cili furnizon me specialistë të peshkimit dhe akuakulturës nivelin qëndror dhe lokal të administratës publike përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Më tej z. Hala theksoi rëndësinë e sektorit të peshkimit në ekonominë e e vendit tonë në përgjithësi dhe në kontributin në sektorin bujqësor në veçanti.

Më pas aktiviteti vijoi me prezantimet e ekspertëve italianë dhe të ekspertit të Universitetit Bujqësor të Tiranës mbi rëndësinë e grumbullimit të të dhenave të peshkimit bazuar në standardet e BE-së dhe kontributi i kërkimit në këtë drejtim.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Projektit IPA 2016  «Fishing Blue – Mbështetje për sektorin e peshkimit në Shqipëri», i cili zbatohet nga Fondazione Accademia Italiana della Marina Mercantile (FAIMM).

Partnerë të FAIMM në këtë projekt janë: Ministria e Politikave të Bujqësisë, Ushqimit dhe Pylltarisë (MIPAAF) e Italisë, Drejtoria e Përgjithshme e Peshkimit (bashkë-aplikues dhe i njohur nga Partneri si Pala Specialiste e Projektit dhe Koordinator Teknik); Roja Bregdetare e Italisë (ITCG) (bashkë-aplikues), dhe Instituti i Kërkimeve për Bujqësinë, Peshkimin dhe Ushqimin (ILVO) i Belgjikës (bashkë-aplikues)

Eunews.al

Comments are closed.