×
Thursday, July 7, 2022

Finalja e UEFA Conference League, Tirana kryeqendër e futbollit europian 

May 25, 2022

Finalja e UEFA Conference League Roma-Feyenoord do të luhet sot në orën 21:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Të dy skuadrat mbërritën dje në Tiranë, ndërkohë që rrugët e qytetit u mbushën me tifozët e dy skuadrave duke krijuar një atmosferë festive.

Trajner i Romës, Jose Mourinho, tha dje në një konferencë për shtyp nga Tirana se “kjo është një finale historike. Do të luajmë një finale pas shumë vitesh, por duhet të bëjmë të pamundurën për të shkruar historinë, pra të fitojmë finalen nesër”.

Ndërsa trajneri i Feyenoord, Arne Slot, u shpreh se “duhet të luajmë siç kemi bërë gjithmonë. Roma do të përpiqet të bëjë gjithçka që është e mundur për të na rrethuar, por duhet të kemi parasysh forcën e kundërshtarëve”.

Futja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 18:00, ashtu si në të gjitha finalet e UEFA-s, ata do të jenë të pajisur me një biletë elektronike.

Sipas policisë tifozët që do të hyjnë brenda në stadiumin “Air Albania” do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë.

“Air Albania” do të mirëpresë rreth 19.500 tifozë duke qenë se janë hequr një pjesë e stolave për të krijuar studio televizive dhe një pjesë tjetër për të zgjeruar edhe tribunën e medies.

Sa u përket forcave të sigurisë, në stadium do të ketë rreth 650 “steward” dhe sa i përket pjesës tjetër, perimetri do të jetë i rrethuar edhe nga policia dhe bëhet fjalë për rreth 2000 forca policie që janë të angazhuar vetëm me pjesën e stadiumit, duke qenë se do të bëhet kontroll trupor nga policia dhe “steward”-ët.

Policia, sipas ligjit, do të rrijë jashtë stadiumit, ndërsa brenda stadiumit do të menaxhohet me “steward”.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që të bllokojë rrugët për garantimin e sigurisë gjatë finales mes Romës dhe Feyenoordit. Rrugët do të jenë të hapura vetëm për tifozët, ndërsa akses në rrugë do të kenë vetëm mjetet e emergjencës dhe të policisë ndërsa ka ndalim qarkullimi në disa rrugë.

Edhe në Tirana International Airport (TIA) janë marrë të gjitha masat për pritjen dhe transferimin e pasagjerëve.

Një ditë më parë drejtori i Përgjithshëm Tirana International Airport (TIA) Costandin von Albensleben si dhe kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj bënë me dije se gjatë ditës së sotme do të vijnë 176 avionë, 36 prej të cilëve me tifozë.

“Shpresoj që do të jetë një ndeshje super e futbollit dhe tifozët do të largohen gjatë natës pas ndeshjes dhe trafiku ajror do të vazhdojë normalisht edhe në 26 maj. Jam optimist se gjithçka do të shkojë mirë”, tha Von Albensleben.

Comments are closed.