×
Wednesday, July 15, 2020

Fillojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut

July 15, 2020

Në Maqedoninë e Veriut filluan sot zgjedhjet e dhjeta parlamentare dhe të pestat të parakohshme.

Këto organizohen në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit dhe  votimet janë shtrirë në tri ditë, ndërsa dita e sotme e zgjedhjeve do të zgjasë dy orë më shumë se zakonisht dhe është shpallur ditë pushimi.

Qendrat e votimit në gjashtë njësitë zgjedhore u hapën në orën 07:00, ndërsa votimi përfundon në orën 21:00.

Votohet për 15 parti politike dhe koalicione, të cilat kanë 1 578 kandidatë.

Të gjithë të përfshirët në proces dhe qytetarët, të cilët do të shkojnë në votime, detyrimisht duhet t’i respektojnë masat parandaluese për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit, si mbajtja e maskës, mbajtja e distancës prej një metër deri në një metër e gjysmë dhe dezinfektim i duarve gjatë hyrjes dhe daljes nga vendvotimi.

Votimi për këto zgjedhje filloi të hënën, kur votuan personat me Covid-19 dhe në vetizolim.

Zgjedhjet mbahen në një situatë kur në vend me javë të tëra ka numra treshifrorë të rasteve pozitive me koronavirus.

Por, Maqedonia e Veriut është pa parlament që nga muaji shkurt dhe atë e drejton qeveria teknike detyra e kryesore e të cilës, sipas Marrëveshjes së Përzhinës, duhej të ishte organizim i zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për