Fillimi i fundit të pandemisë dhe fokusi tek ekonomia
Nga: Prof. Anastas Angjeli
Edhe pse faza e dytë e përhapjes së pandemisë Covid-19 po shënon kulme të reja, me një shtrirje masive në gjithë botën, duke infektuar (deri në dt. 7.12.2020) rreth 68 milionë njerëz dhe duke marrë jetën e 1.545.814 njerëzve; edhe pse shume shtete vazhdojnë me konsekuencë përpjekjet maksimale për zbatimin e masave kufizuese, duke kaluar në mbyllje të pjesshme, hapje e rihapje të ekonomisë, duket se “… në fund të tunelit ka një dritë”, siç theksoi ditë më parë Kancelarja gjermane, Merkel. Të njëjtin fakt përsëriti edhe Presidenti i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, kur theksoi se “…Tashmë, në fund të tunelit duket se ka një dritë jeshile”. Kjo, sepse përpjekjet e organizatave më të fuqishme ndërkombëtare, shteteve më të mëdha dhe liderët e tyre, kërkuesit dhe institucionet më të mëdha shkencore, kompanitë farmaceutike më me emër në botë, kanë arritur të prodhojnë vaksinën anti-Covid, kaq të shumëpritur nga mbarë njerëzimi. Por, kjo nuk do të thotë se pandemia kaloi dhe se “vigjilenca” ndaj masave të tjera anti-Covid duhet ulur. Sakaq, ekonomia globale vazhdon të “lëngojë” dhe tani, krahas përballjes me pandeminë, pritet një fokus i ri tek ekonomia. Kjo po duket në këtë fundvit, në diskutimet dhe miratimet e buxheteve të të gjitha shtetet më të zhvilluara, dhe së shpejti edhe në diskutimin final të buxhetit të Bashkimit Europian të vitit 2021.
FILLIMI I FUNDIT TË PANDEMISË
Fillimi i prodhimit të vaksinave anti-Covid 19 dhe programimi i shpërndarjes së tyre është jo vetëm një lajm shpresëdhënës në këtë “luftë të vështirë” të njerëzimit, por njëhershmi, edhe pse një rrugë e gjatë, ai shënon “Fillimin e Fundit të Pandemisë Covid-19”.
Vaksinat anti-Sars-Cov-2, të bazuara në viruse të paaktivizuara, acide nukleike, vektorë viralë ose proteina, stimulojnë një përgjigje imune në trupin e njeriut, me prodhimin e antitrupave që parandalojnë zhvillimin e Covid: prandaj janë një armë e sigurt kundër infektimit. Aktualisht janë duke u zhvilluar dhe testuar (dhe kanë kërkuar lejen për fillimin e përdorimit të tyre) disa vaksina, nga disa kompani në disa shtetet si: vaksina BNT162 di PfizerBioNTech, COVID-19 Ad26.COV2.S të kompanisë Janssen & Prevention B.V.; Vaksina Moderna mRNA-1273; vaksina AZD1222 nga kompania AstraZeneca e Oxford University; vaksina ChAdOx1 nCoV-19; vaksina Ruse Sputnik V kundër Covid-19; vaksina CoronaVac; vaksina BBIBP-CorV dhe vaksina e rikombinuar Ad5-nCoV (Kinë).
Tashmë, diskutimet bëhen për prodhimin dhe shpërndarjen sa më të shpejtë të vaksinave, për grupet shoqërore më prioritare që do të vaksinohen në fillim, për ndihmën falas që duhet t’u jepet vendeve të varfra etj.
Sipas Hans Kluge, shefi i OBSH për Europën, në lidhje me vaksinimin, ai do të fillojë së pari në Britaninë e Madhe. Dozat e para janë të limituara, tha Kluge, prandaj vaksinimi do të përqendrohet te një grup i caktuar personash, si të moshuarit apo më të rrezikuarit nga pandemia. Si pasojë e vaksinave të limituara, qytetarëve u është bërë thirrje për të vazhduar respektimin e masave kufizuese.
Në ANGLI, kontingjenti i parë i dozave të vaksinës së koronavirusit, Pfizer/BioNTech, ka mbërritur. Shpërndarja do të fillojë nga fundjava, duke filluar nga kombet pakicë të Mbretërisë, me përparësi absolute për të moshuarit në shtëpitë e pleqve dhe ata që i ndihmojnë ata dhe shtresat më të rrezikuara.. Qeveria e Boris Johnson ka rezervuar 40 milionë doza të kësaj vaksine, 10 milionë prej të cilave pritet deri në këtë vit.
Në SHBA, sipas shefit të FDA të SHBAve: 20 milionë amerikanë mund të vaksinohen brenda vitit, duke ndjekur gjithashtu një radhë prioritare me grupet më të rrezikuara
Në ITALI, në gjysmën e dytë të janarit, do të fillojë administrimi i 3.4 milionë dozave të para të vaksinës Pfizer. Vaksinimi duhet të përsëritet dy herë, duke prekur 1.7 milionë italianë. Kjo është kuota për Italinë, e vendosur nga një marrëveshje europiane. Vaksina do të jetë falas në Itali dhe ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, duket se do të jetë vullnetar.
Në FRANCË- Sipas Castex, disponueshmëria e vaksinës Covid-19 në Francë është “një çështje javësh”, Franca do të ketë një potencial prej 200 milionë dozash, për të vaksinuar 100 milionë njerëz, pasi duhen dy injeksione secila. Atje, fushata e vaksinimit do të jetë me tri faza, bazuar në grupmoshat e popullsisë. Fushata e vaksinimit do të realizohet sipas tri prioriteteve:
Prioriteti 1: të moshuarit që banojnë në shtëpitë e pensionit dhe ata që punojnë në këto institucione.
Prioriteti 2: njerëzit mbi 75 vjeç, pastaj njerëzit mbi 65 vjeç dhe personeli shëndetësor dhe ai i kujdesit shëndetësor mbi 50 vjeç dhe më të prekshëm.
Prioriteti 3: hapja për të gjithë popullsinë, duke filluar me njerëz midis 50 dhe 64, punëtorë në sektorë thelbësorë, njerëz të prekshëm dhe të pasigurt dhe njerëzit që kujdesen për ta, njerëz që jetojnë në vende të mbyllura, mbyllur.
Në GREQI, qeveria prezantoi edhe planin e vaksinimit të qytetarëve për koronavirusin e ri. Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, tha se “vaksinimi do të jetë vullnetar dhe falas”. Fushata pritet të nisë në fund të këtij muaji ose në janar. Bashkimi Europian ka siguruar deri më tani më shumë se 1 miliard doza, nga të cilat Greqia do të marrë 25 milionë vaksina.
Në RUSI, procesi i ndërlikuar i vaksinimit Covid ka filluar. Në pesë orët e para, 5,000 njerëz u regjistruan për t’u vaksinuar: mësues, mjekë, punonjës socialë. Vaksinimi masiv kundër koronavirusit do të fillojë me kryeqytetin rus, i kufizuar në disa kategori specifike, pikërisht mësuesit, punonjësit shëndetësorë dhe punonjësit socialë.
Në KINE, Sinopharm, një kompani kineze që punon në dy vaksina Covid-19, ka në plan të prodhojë 610 milionë doza vaksinash deri në fund të vitit, dhe se prodhimi do të rritet në 2021 për të përmbushur kërkesën e brendshme.
Qëllimi fillestar global është që të ketë 2 miliardë doza në dispozicion deri në fund të vitit 2021, të cilat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbrojtur njerëzit me rrezik të lartë të kontaminimit dhe punonjësit e vijës së parë të kujdesit shëndetësor.
EKONOMIA, NË PËRPJEKJE PËR TË DALË NGA “KOMA”
Fundviti po afron dhe duket se ekonomia globale në përgjithësi dhe ajo europiane në veçanti do të vazhdojë të jetë e mbërthyer në mengenenë e recensionit ekonomik. Kjo, sipas të dhënave të vetë shteteve kryesore, por edhe të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare.
Kështu, Gjermania, Franca, Spanja, Italia, Portugalia, Greqia, Britania e Madhe, SHBA, e kanë ndjerë më shumë këtë valë të dytë të pandemisë. Shumica e tyre tashmë kanë shpallur masat e reja të protokolleve ndaj kësaj pandemie. Lockdown tashmë është i pranishëm, edhe pse në mënyrë të pjesshme, thuajse në shumicën e vendeve të prekura. Me ritme të larta po ndihen ndikimet e pasojat edhe në vendet e rajonit tonë, përfshi edhe Shqipërinë, ku numri i të infektuarve në total i kaloi 44,436 raste dhe ka marrë jetën e 936 njerëzve. Ndërkaq, ekonomia globale vazhdon të jetë në recension dhe në fund të këtij viti parashikohet të tkurret me – 4.4 %; ajo amerikane me -4.3%; ajo europiane -7,2 %; në vendin tonë 6.1 %, me objektiv që rimëkëmbja ekonomike të fillojë gjatë vitit të ardhshëm dhe të stabilizohet në periudhën 2021-2023.
Prandaj, fokusi është dhe mbetet te një përpjekje e dyanshme, nga njëra anë vazhdimi i masave për të mposhtur pandeminë dhe, nga ana tjetër, shtimi i masave për rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike. Rritja e masave jetësore shëndetësore do të ishte po aq e rëndësishme sa mbështetja fiskale dhe monetare për ekonominë në përgjithësi, biznesin privat dhe familjet, e në veçanti ato në nevojë.
Miratimi i buxheteve të çdo shteti në këtë fundviti dhe diskutimi i pritshëm për miratimin e buxhetit të vitit 2021 kanë pikërisht këtë fokus, bazuar në një vizion të ri të reflektimit strukturor të ekonomisë dhe politikave të reja të punësimit dhe bizneseve, bazuar edhe në ndryshimet që vijnë nga situata postCovid. Në këtë mision historik për ndryshimet dhe zhvillimin e pritshëm të qëndrueshëm të ekonomisë janë bashkuar në një aleancë të gjitha vendet e zhvilluara, G7 e G-20, BE, Eurogrupi, institucionet prestigjioze ndërkombëtare financiare si; FMN, BB, BERZH e BEI etj.
SHQIPERIA, PANDEMIA DHE EKONOMIA
Faza e dytë e pandemisë në vendin tonë ka marrë përmasa dhe shtrirje të madhe në numër dhe territore, duke rritur numrin e marrjes së jetëve. Numri i të infektuarve ka arritur në 43.683 dhe jetë të humbura në 922 (7.12.2020).
Masat e marra nga qeveria dhe puna heroike e skuadrës mjekësore shqiptare, në shërbim të qytetarëve në luftën ndaj këtij armiku të padukshëm, kanë qenë dhe mbeten faktorë të rëndësishëm në këtë përballje. Ndërkaq, bashkëpunimi qytetar për respektimin e protokolleve për mbrojtjen nga kjo pandemi, mbetet prioritet dhe në qendër të vëmendjes.
Kjo dëshmohet jo vetëm nga kujdesi e masat e përditshme që “Task Forca Anticovid” ka rekomanduar e qeveria ka marrë e po zbaton, por edhe nga mbështetja financiare që iu dha gjatë këtij viti përballjes së këtij problemi, por edhe nga mbështetja që do të vazhdojë të ketë me buxhetin e vitit 2021, tashmë të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas buxhetit të vitit 2021, buxheti për shëndetësinë rritet me 23.3 % në krahasim me këtë vit, duke mundësuar plotësimin maksimal të nevojave për teknologji, medikamente, vaksinimin, rritjen e pagave etj., për përballimin e situatës së pandemisë. Tashmë ka filluar rimbursimi i ilaçeve për mjekimin me Covid19, për të cilat në buxhetin e vitit 2021 u vendosën 1.2 miliardë lekë. Gjithashtu, vendi ynë anticipon 4 milionë dollarë për të aksesuar vaksinën anti-Covid.
Tashmë është miratuar marrëveshja mes Qeverise dhe Aleancës Gavi (Aleanca GAVI është një partneritet global i enteve publike dhe private, të angazhuara për të shpëtuar jetën e fëmijëve dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatave nëpërmjet vaksinimit), për pjesëmarrjen në strukturën globale të aksesimit në lidhje me vaksinat COVID-19.
Qeveria shqiptare ka filluar procedurat për blerjen e gati 1.1 milionë doza vaksinash kundër infeksionit COVID-19. Fillimisht, të gjitha vendeve do t’u jepen doza të mjaftueshme për të mbuluar 20% të popullsisë. Për Shqipërinë, numri i dozave arrin në 1,140,000, ku kategoritë më të rrezikuara do të vaksinohen me 2 doza. Vaksina që do të prokurohet nga autoritetet shqiptare duhet të ketë kualifikimin paraprak të OBSH-së dhe ta posedojë autorizimet e nevojshme. 4 5 miliardë lekë do të shkojnë për rritjen e pagës së personelit mjekësor, duke shënuar një rritje të tyre me 40%. Ndërkaq, kujdesi për familjet në nevojë vjen e rritet me këtë buxhet dhe garanton me 2.5 miliardë lekë vazhdimin e pagesës së papunësisë në mënyrë të dyfishuar gjatë gjithë vitit të ardhshëm.
Gjatë këtij viti, ekonomia jonë u godit rëndë dhe pritet të tkurret me 6-7%, deficit buxhetor të thellohet në 7-8 % ndaj GDP-së dhe borxhi publik të kapë vlerat rreth 80%. E gjithë kjo situatë dikton vëmendje më të madhe e fokus te zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për të kapërcyer këtë situatë dhe fillimin e ringritjes ekonomike. Përshpejtimi i procesit të rindërtimit të pasojave të tërmetit, me një financim të sigurt nga buxheti (34 miliardë lekë këtë vit dhe 28 miliardë lekë në 2021), si dhe rritja e shpenzimeve kapitale me 9%, ose 38.3 miliardë lekë për vitin që vjen, më e madhja në 10 vitet e fundit, drejtuar në infrastrukturë, bujqësi, turizëm etj., është shpresëdhënëse për rimëkëmbjen. Natyrisht, situata post-Covid kërkon përdorimin e më shumë instrumenteve në mbështetje të biznesit, ristrukturim të ekonomisë dhe biznesit, orientimit të zhvillimit të teknologjive të reja, ekonomisë së gjelbër, shkencës e edukimit. Vetëm me një zhvillim me vizion e model të ri, do të mund të rikuperojmë tkurrjen e këtij viti dhe fillimin e rimëkëmbjes ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndryshimin e kushteve sociale.
Eunews.al