“Fatos Tushe përjashtohet nga PS”/ Rama: Nuk jemi zyrë avokatie e të akuzuarve
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarë të bashkive për paketën e re të prokurimit publik, një hap me rëndësi për rritjen e eficencës dhe transparencës së sistemit të prokurimeve në vend.
Në fjalën e tij, Rama informoi se shkaku që e afroi në kohë këtë takim të planifikuar për në fund të korrikut është arrestimi i kryetarit të bashkisë Lushnje dhe zyrtarë të tjerë, të akuzuar nga SPAK për korrupsion.
“Patjetër që kryebashkiaku dhe të tjerët kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundimin e gjykimit. Nuk është detyra ime, as e PS-së të kërkojmë pafajësinë e tyre. Kjo është puna e avokatëve të të pandehurve”, tha Rama.
Duke iu drejtuar kryebashkiakëve, Rama tha se “ky është rasti për t’u përsëritur juve dhe gjithë të tjerëve që kanë marrë apo do marrin besimin e shumicës tonë të mandatuar 3 herë rresht nga qytetarët shqiptarë se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por është fuqia e votuar nga populli shqiptarë për t’i shërbyer Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, jo të pandehurve, as të akuzuarve”.
“Korrupsioni, ryshfeti, bakshishi nuk kanë ngjyrë politike dhe janë e zeza, janë errësira dhe llumi me të cilën ne duhet të përballemi duke refuzuar çdo lloj mbrojtje për këdoqoftë që bie pre e tyre. Ne do të udhëheqim popullin drejt majës ku duhet ta ngjisim Shqipërinë me forcën e shembullit”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “kryetari i bashkisë Lushnje do të shkarkohet nga detyra dhe përjashtohet nga PS, masa këto që do të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit del i pafajshëm”.
“Këto masa nuk nisen nga fakti që është fajtor apo jo, pasi nuk na takon ne ta vendosim një gjë të tillë, por i marrim këto masa për të dhënë një mesazh shumë të qartë, se kush fut duart në taksat e shqiptarëve dhe shkel të drejtën e tyre për të qenë të barabartë në konkurencë dhe të shërbyer me dinjitet është thjesht i vetëm me avokatin e vetë personal përballë drejtësisë”, shtoi Rama.
Eunews.al