×
Friday, October 22, 2021

Faleminderit Lulzim!

September 9, 2021

Nga Mero Baze

Për të gjithë ne që jemi të përfshirë në një konflikt politik me Sali Berishën në këto 30 vjet, ka vetëm një njeri që ka marrë hak për të gjithë ndaj Sali Berishës. Ai nuk është as kritiku i parë i Sali Berishës më 1991, as kritikët e Sali Berishës më 93, 95, 97, 99, 2005, 2007, e deri më 2021.

Secili prej nesh që është përballur me Berishën i ka dhënë diçka edhe Sali Berishës. Dikur i ka dhënë mbështetje si aleat e më pas i ka dhënë një rol në betejën me të si kundërshtar. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Sali Berisha.

Ai i ka ndihmuar armiqtë e vet të bëhen zëra të rëndësishëm të opinionit publik, të fitojnë respekt në shoqëri dhe ndoshta hera herës të marrin dhe pëlqimin e saj.

Ai vetë është bërë gjithnjë e më shumë idhull i një pakice radikale brenda PD, si qëndrestar ndaj gjithë armiqve të tij brenda e jashtë. Por gjithsesi ka funksionuar një logjikë kalorësiake në këtë betejë 30- vjeçare.

Ky rregull kishte kuptim deri sot në mbrëmje.

Prej nesër të gjithë ne që jemi përballur me Berishën, kemi një të ngjashëm, por jo të njëjtë me ne, që e ka poshtëruar Sali Berishën dhjetëra herë më shumë se ne, pa u bërë armik me të, por vetëm duke i marrë atij gjithçka, partinë, pushtetin, paratë, dhe në fund dhe dinjitetin.

Ai është Lulzim Basha. Ai është mallkimi i Sali Berishës për gjithë çka bërë me çdo kundërshtar në këto 30 vjet. Në fund të fundit tani është vetë ana tjetër e Sali Berishës, ajo që ai ka ëndërruar si duhet t’i kishte partnerët apo bashkëpunëtorët.

Ai është ana e errët e Sali Berishës, ajo që Sali Berisha ëndërron natën se si duhet të delegojë pushtetin diku që të ketë sërish Ai.

Lulzim Basha është modeli që ka në kokë Sali Berisha se si në politikë mund të gënjesh dhe veten, për të gënjyer popullin.

Dhe ja ku është sot.

Sali Berisha ka së paku një javë që përpëlitet, kërcënon, hakërrehet, zbutet, tërhiqet, bërtet përsëri, sulmon dhe të gjitha këto, që të marrë një përgjigje apo një shenjë nga Lulzim Basha, se çfarë do të bëjë me të.

Ai është i pamëshirshëm në ndëshkimin e tij. Nuk flet. I thotë kam “babin” sëmurë, një justifikim që e vret dhjetë herë më shumë atë që ka menduar se është babai shpirtëror i tij.

Të gjithë ne që kemi qene përballë me Berishën, secili i kemi bërë nga diçka për t’u ndjerë keq. Dikush e ka denoncuar si autoritar, dikush si antidemokratik, dikush si primitiv, dikush si hajdut, dikush nepotik apo tribal, por kjo që po i bën Lulzim Basha i tejkalon të gjitha çfarë i kemi bërë ne.

Ky po e poshtëron dhe po e detyron të zvarritet duke dalë ekran më ekran e gazetë më gazette, duke kërcënuar se po e hoqën do të bëjë namin.

Kë kërcënon?

Nëse është kaq i fortë, të shkojë në zyrë të Lulzim Bashës e ta kërcënojë, nuk ka pse telendiset rrugëve. Por me sa duket as atë nuk e bën dot.

Dhe sot ne kemi para syve, një politikan që ka marrë ndëshkimin më të rëndë në historinë e Shqipërisë, duke dalë nga politika me një epitaf të rënd nga SHBA si minues i demokracisë, shantazhues i sistemit gjyqësor dhe përfitues i milionave duke vjedhur familjarisht lekët e taksapaguesve shqiptarë.

Dhe sikur të mos mjaftonte ky dënim, ka tre muaj që pret dhe dënimin nga Lulzim Basha duke u poshtëruar prej tij, duke e kërcënuar e pastaj duke u lutur, duke ju hakërryer SHBA-së që të dëgjojë Basha, e duke lëshuar mediet e familjes tij ta sulmojnë.

Më zi se kaq askush nga ne nuk do t’ia kishte bërë. Mund ta kishim vrarë, apo mund të na kishte vrarë. Por kështu zvarrë vetëm Lulzim Basha mund ta hiqte, pasi e vrau me dorë të amerikanëve.

Tani ka 3 muaj që Shqipëria pret ndëshkimin e Lulzim Bashes për Berishën. Dhe ai vendosi ta terheqë zvarrë. Faleminderit Luli, o Akili ynë!

Eunews.al

Comments are closed.