Europë, ndihma financiare zbut goditjen e papunësisë
Pothuajse në muajin e dytë të një rënieje globale ekonomike të paprecedentë, niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara është rritur në 14.7%, një nivel shumë më i lartë se në Evropë dhe ekonomitë e tjera të zhvilluara si Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Efektet e koronavirusit kanë shënuar një përmbysje të madhe për Shtetet e Bashkuara që në vitet para përhapjes së pandemisë COVID-19 po përjetonin një nga tregjet më të forta të punës në botën e zhvilluar. Vetëm disa muaj më parë, shkalla e papunësisë kombëtare ishte 3.5%, më e ulëta në 50 vjet dhe shumë më e ulët se norma mesatare prej 6.2% në Bashkimin Evropian.
Raporti për tregun e punës i publikuar të premten në mëngjes nga Zyra e Statistikave të Punës së Shteteve të Bashkuara tregoi se SHBA humbi 20.5 milionë vende pune gjatë një periudhe një mujore që përfundon në mes të prillit, një shifër tronditëse e paprecedent në historinë ekonomike të vendit. Humbjet e vendeve të punës u përhapën në të gjithë sektorët e ekonomisë, me sektorët e argëtimit dhe të hotelerisë që shfaqnin rënien më të madhe.
Raporti vjen vetëm një ditë pasi Departamenti i Punës raportoi se një tjetër masë prej 3.2 milionë amerikanësh kishin paraqitur kërkesa për asistencë financiare për shkak të papunësisë gjatë javës së kaluar, duke e rritur totalin e shtatë javëve që kur filluan masat bllokuese të lidhura me virusin, në 33.5 milionë njerëz të papunë.
Numri i amerikanëve që marrin përfitime të papunësisë luhatet, pasi nuk janë pranuar aplikimet e të gjithë atyre që kanë aplikuar gjatë javëve të mëparshme, ndërsa të tjerë gjejnë ndërkohë punësim të ri. Departamenti i Punës gjithashtu gjurmon numrin e njerëzve që marrin aktualisht përfitime dhe që duhet të paraqesin një kërkesë çdo javë. Ky numër, i cili raportohet një javë më vonë se të dhënat për pretendimet fillestare, u rrit në 22.6 milionë në javën që përfundon më 25 prill, shifra më e lartë e regjistruar deri më tani.
Përkundrazi, në Evropë niveli mesatar i papunësisë është rritur në një mënyrë shumë më pak dramatike dhe pritet të arrijë në rreth 9.5% në vitin 2020, sipas parashikimeve të qarkulluara të mërkurën nga Komisioni Evropian.
Është e sigurtë se Evropa do të përballet me një rënie të rëndë ekonomike si rezultat i pandemisë. Këtë javë, Parashikimi Ekonomik i Pranverës 2020 i Komisionit Evropian parashikoi një “recesion të thellë dhe të pabarabartë” dhe “një rikuperim të pasigurt”. Disa vende, si Italia, Greqia dhe Spanja, të cilat ishin përballur me papunësi dyshifrore që përpara pandemisë, do t’i shohin normat të rriten në nivele të larta dyshifrore, thuhet në raport.
Kontrasti i ashpër midis shifrave të papunësisë në Shtetet e Bashkuara dhe atyre në shumicën e vendeve evropiane pasqyron zgjedhjet shumë të ndryshme të politikave të bëra nga ligjvënësit në Uashington, nga ata në të gjithë Evropën. Në përgjithësi, qeveritë në të gjithë Evropën kanë subvencionuar pagat e punonjësve të kompanive private, në disa raste në mënyrë efektive, duke i paguar ata që të qëndrojnë në shtëpi.
“Qeveritë evropiane po zgjedhin të përdorin fondet e tyre të papunësisë për t’i mbajtur punëtorët të bashkuar me firmat për të cilat punojnë përmes atyre (programeve) që njihen si ndarje pune, ose programe kompensimi afatshkurtër“, tha Robert E. Scott, ekonomist i lartë dhe drejtor i kërkimit për politikat e tregtisë dhe prodhimit në Institutin e Politikave Ekonomike në Uashington.
“Kjo do të thotë që punëtorët i ruajnë përfitimet nga puna“, tha ai. “Por, gjithashtu, më e rëndësishmja, punëtorët vazhdojnë me të njëjtën firmë dhe nuk mbeten të papunë“.
Këto programe shërbejnë për dy qëllime kryesore. Objektivi më i afërt është të garantohet likuiditeti për miliona njerëz që mund të përballeshin me shkatërrimin financiar nëse humbasin prurjet konstante të të ardhurave. Në planin afatgjatë, programet janë krijuar për të ruajtur lidhjen midis punëtorëve dhe punëdhënësve, duke e bërë më të lehtë dhe më shumë të ngjarë që bizneset të fillojnë përsëri punën pasi të ketë kaluar kriza.
Në Francë, për shembull, një program i quajtur “papunësi e pjesshme”, ka më shumë se gjysmën e punonjësve të sektorit privat që marrin pagesa të subvencionuara nga qeveria, pavarësisht faktit se ata ose nuk punojnë fare ose janë duke punuar me një orar shumë të reduktuar.
Në Gjermani, qeveria ka aktivizuar një program ekzistues të quajtur Kurzarbeit, i cili përkthehet “punë afatshkurtër”, për të mbuluar deri në dy të tretat e pagave të punëtorëve. Programi gjerman është një program i hershëm që ka ndihmuar vendin të për rëniet ekonomike në të kaluarën.
Masa të ngjashme ad hoc janë vendosur në të gjithë kontinentin evropian, me qeveritë që mbulojnë, në disa raste, më shumë se 80% të pagave.
Në Shtetet e Bashkuara, ligjvënësit u përpoqën të krijojnë një program të ngjashëm përmes Programit të Mbrojtjes së Pagës, i cili u krijua nga Ligji i Asistencës dhe Sigurisë Ekonomike për koronavirusin. Përpjekja prej 669 miliardë dollarësh kishte për qëllim të sigurojë kredi pa penalitete për bizneset që përdorën fondet për të mbajtur punonjësit e tyre në listën e pagave.
Megjithatë zbatimi i këtij programi ishte i vështirë. Shumë biznese nuk ishin në gjendje të përdorin fondet në kohën e duhur, disa ende nuk kanë marrë fondet që u ishin premtuar, dhe qindra miliona dollarë shkuan në kompani të mëdha publike që nuk ishin objektivi i këtij programi.
Ligjvënësit kanë thënë se do të ketë paketa shtesë për lehtësimin e pasojave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Por, edhe nëse kjo i paraprin aplikimeve të ardhshme të papunësisë, rritja e madhe e amerikanëve të papunë ka të ngjarë të ketë pasoja të padëshirueshme për ekonominë kur të fillojë rimëkëmbja.
“Përfitimet makroekonomike nga një program kompensimi afatshkurtër, siç është ai që ata kanë në Gjermani, apo edhe në Mbretërinë e Bashkuar ose Kanada, janë që nëse e ruani fluksin e të ardhurave për punëtorët, kjo do të thotë se ata mund të paguajnë për ushqime, ata mund të paguajnë qeratë, ata nuk krijojnë borxhe të mëdha gjatë masave mbyllëse“, tha zoti Scott. “Dhe kështu, nëse dhe kur ekonomia të rifillojë dhe në një moment, ajo do të rifillojë, ata konsumatorë që shpenzojnë do ta rimarrin veten shumë më shpejt sesa në Shtetet e Bashkuara“.
Eunews.al