“Europa të sigurojë ndikimin e saj në botë, pas pandemisë”
Europa duhet të sigurojë patjetër ndikimin e saj në botë, pas pandemisë, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas para ambasadorëve të vendit në një video-konferencë.
”Europa duhet të zhvillojë një pavarësi më të madhe në furnizimin me mallra thelbësore ekonomike në vazhdën e pandemisë së koronavirusit”, shtoi ai.
“Ne urgjentisht duhet të zvogëlojmë varësinë tonë në fushat me rëndësi strategjike, në sektorin e shëndetësisë, por në mënyrë të barabartë edhe në energjetikë, teknologji informacioni, ushqime, logjistikë dhe lëndë të parë”, tha Maas nga Berlini.
“Sa i përket sigurisë dhe shëndetit të popullatës sonë, Bashkimi Europian duhet të jetë në gjendje të garantojë një furnizim të sigurt”, shtoi ai.
”Qëllimi është sigurimi i ndikimit europian në botë pas pandemisë”, tha Maas në komentet e bëra me përfaqësuesit e vendit për presidencën gjashtëmujore gjermane të radhës Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti.
“Ekuilibri midis ndarjes ndërkombëtare të punës dhe rreziqeve të varësisë strategjike duhet të korrigjohet dhe do të doja që Gjermania dhe Europa të ishin pionierë këtu”, shtoi Maas.
Eunews.al