×
Sunday, August 2, 2020

Europa përkujton Holokaustin e sintive dhe romëve

August 2, 2020

2 gushti është dita e përkujtimit në Europë të Holokaustit ndaj Romëve dhe Sintive. Por vetëm kujtimi nuk mjafton, mendon Romani Rose: Racizmi dhe nacionalizmi duhen luftuar me vendosmëri.

Më 2 gusht 1944 u vranë në dhomën e gazit 4.300 sinti dhe romët, të fundit që ende jetonin nga i ashtuquajturi „kampi i ciganëve” në kampin e përqendrimit dhe shfarosjes Auzhvic-Birkenau. Kjo ditë është simbol për Holokaustin e nazistëve ndaj më shumë se 500.000 sintive dhe romëve në Europën e pushtuar.

Ne i përkujtojmë këto viktima. Ne përkujtojmë të gjitha viktimat e gjenocidit ndaj sintive dhe romëve, dhe ne përkujtojmë të gjitha viktimat e nacionalsocializmit. Kjo dite është për sintit dhe romët në mbarë Europën me rëndësi të madhe. Përkujtimi i viktimave të gjenocidt të nacionalsocialistëve është kthyer në një komponente të përhershme të identitetit tonë.

2 Gusht. Kjo ditë u shpall para pesë vjetësh nga Parlamenti Europian si Ditë Përkujtimore për sintit dhe romët në mbarë Europën, ndërsa të gjitha vendeve anëtare të BE-së  vazhdon t’u bëhet thirrje që 2 gushtin ta shpallin ditë përkujtimore të Holokaustit ndaj sintive dhe romëve në vendet e tyre. Republika e Polonisë është i pari vend në Europë që 2 gushtin e ka pranuar si ditë përkujtimore.

Anticiganizmi, antisemitizmi dhe racizmi po shfaqen me më shumë dhunë

Europa ndodhet përballë sfidash të mëdha në sfondin e një nacionalizmi racist të etabluar tashmë në shumë vende.

Vetëdija për demokracinë tonë, për shtetin ligjor dhe për vlerat tona europiane ka kohë që nuk është më garanci për qendrueshmërinë e demokracisë sonë, kur partitë dhe qeveritë nacionaliste në shumë vende europiane po konfirmohen pikërisht në këtë nacionalizëm racist.

Ne përjetojmë se si urrejtja ndaj sintive dhe romëve, ndaj hebrenjve dhe të tjerave pakica po përhapet gjithnjë e më shumë. Sulmet në Halle në tetorin e kaluar apo në Hanau në shkurt 2020 janë vetëm dy nga shembujt e fundit në Gjermani të anticiganizmit, antisemitizmit dhe racizmit që shfaqet gjithnjë e më shumë me dhunë.

Përçarja e shoqërisë kërcënon romët

Sintit dhe romët janë prej 700 vjetësh të vendosur në vendet e Europës, ne jemi shtetas në vendet ku jetojmë. Ishin nazistët, që fillimisht na regjistruan dhe na përjashtuan ne, na hoqën nënshtetësinë dhe më pas na deportuan e në fund donin të na vrisnin plotësisht. Racizmi i nazistëve me bërthamën e tij të një antisemitizmi dhe anticiganizmi ekstrem dhe radikal ishte qenësia e Rajhut të Tretë dhe kjo shenjon Holokasutin: një krim ndaj njerëzimit, një thyerje e pashembullt në histori e civilizmit.

Shekulli i 20-të u karakterizua prej dy luftërash botërore në pothuajse të gjitha pjesët e botës. Tani në shekullin e 21-të ne konfrontohemi me një situatë, në të cilën jo vetëm demokracia po dorëzohet e ku sistematikisht po hiqet dorë prej parimeve të shtetit të së drejtës, por në radhë të parë ne pothuajse nuk po mundemi dhe nuk po duam më të flasim me njeri-tjetrin.

Këtë situatë të padurueshme ne mund ta përballojmë vetëm me përpjekje të përbashkëta. Për Europën kjo përçarje në shumë shoqëri të shteteve europiane është një rrezik i veçantë. Përçarjet shoqërore gjithmonë janë shkarkuar e vazhdojnë të shkarkohen ndaj minoriteteve dhe sërish ekziston rreziku që romët të përballen me dëbime dhe progroma.

Qeveritë e Europës duhet të luftojnë anticiganizmin, antisemitizmin dhe racizmin

Auzhvic. Ne të gjithë nuk duhet të heshtim gjatë dhe ta minimizojmë, ne nuk duhet të jemi indiferentë kur shfaqet racizmi, kur nacionalizmi drejtohet kundër Europës, kundër vlerave tona të përbashkëta demokratike, kur nacionalizmi dhe organizatat e djathta duan të shmangin demokracinë dhe shtetin tonë të së drejtës.

Tani imperativi për qeveritë e Europës është që të angazhohen më në fund qartazi dhe me vendosmëri për ta luftuar anticiganizmin, antisemitizmin dhe racizmin. Këshilli Qendror i Stintive dhe Romëve në Gjermani e përshëndet themelimin nga qeveria federale të Komisionit të Pavarur për ta analizuar anticiganizmin në Gjermani dhe për të dhënë rekomandimet për zhvillimin e veprimit në luftën kundër anticiganizmit. Ky është një detyrim, që na ngarkohet ne prej njerëzve të vrarë në Auzhvic-Birkenau dhe në të tjera kampe përqendrimi dhe shfarosjeje apo prej trupave SS. Ne duhet të përballemi bashkarisht në Europë me këtë.

Romani Rose është që nga viti 1982 kryetar i Këshillit Qendror të Sintive dhe Romëve në Gjermani.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për