×
Wednesday, December 8, 2021

Europa bëhet sërish epiqendra e pandemisë, vendet rikthejnë kufizimet

November 14, 2021

Me Europën tani kontinentin e vetëm ku rastet e përditshme të koronavirusit janë në rritje, disa vende, si Holanda, po përgatiten të rivendosin masat kufizuese pak para Krishtlindjeve, duke theksuar edhe njëherë faktin se vetëm vaksinat nuk mjaftojnë për t’u kthyer në normalitet.

Numri i pacientëve të shtruar në spital dhe viktimave për shkak të Covid-19 në Europë mbetet në nivele shumë më të ulëta se vitin e kaluar, por në disa vende sistemet shëndetësore janë në kolaps. Sipas Reuters, Europa tani përbën më shumë se gjysmën e të gjitha rasteve të reja në mbarë botën dhe rreth gjysmën e të gjitha vdekjeve.

Rreth 65% e popullsisë në Zonën Ekonomike Europiane, e cila përfshin BE-në, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë, është vaksinuar plotësisht, por shkalla e vaksinimit është ngadalësuar gjatë muajve të fundit. Sipas përditësimit të fundit të OBSH-së, Europa (përfshirë Rusinë) regjistroi një rritje prej 7% të rasteve dhe një rritje prej 10% të vdekjeve në një javë. Të gjitha zonat e tjera raportuan rënie.

Bllokimi i parë në Holandë

Bllokimi i parë i pjesshëm në Europën Perëndimore pas verës hyri në fuqi këtë fundjavë në Holandë, ku vetëm 85% e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht. Vendimi përfundimtar i qeverisë pritet të shpallet mbrëmjen e së premtes.

Baret, restorantet dhe dyqanet jo thelbësore janë planifikuar të mbyllen në orën 19:00 për të paktën tre javë dhe qytetarët që kanë mundësi do të punojnë nga shtëpia dhe tifozët nuk do të lejohen në evente sportive. Shkollat, teatrot dhe kinematë do të qëndrojnë të hapura.

Rastet e Covid-19 janë rritur ndjeshëm në vendin me 17.5 milionë banorë që nga heqja e distancës sociale në fund të shtatorit. Të enjten, vendi raportoi 16,264 raste të reja, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.

Masa të ashpra për të pavaksinuarit në Austri

Austria ka njoftuar masa të ashpra në kuadër të pandemisë së koronavirusit për të gjithë të pavaksinuarit mbi 12-vjeç. Lajmin e bëri me dije kancelari austriak Alexander Schallenberg, i cili tha se të gjithë të pavaksinuarit mbi 12-vjeç do t’i nënshtrohen karantinës.

Sipas raportimeve të autoriteteve austriake, rreth 65% e popullsisë është e vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, një nga normat më të ulëta në Bashkimin Europian ku rastet e infektimeve po shohin rritje. Sipas këtij urdhri, austriakët e pavaksinuar do të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa aktualisht ata nuk lejohen në bare, restorante, parqe apo ambiente të tjera publike.

Kancelari tha se shpreson që vendimi të miratohet këtë të dielë. “Qëllimi është i qartë: ne duam të dielën të japim dritën jeshile për një bllokim mbarëkombëtar për të pavaksinuarit,” tha Schallenberg në një konferencë shtypi në Innsbruck.

Gjermania bën të detyrueshme maskat dhe distancimin social

Epidemia është gjithashtu në rritje në Gjermani, e cila raportoi 50,196 raste të reja të enjten, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Një projektligj që po hartohet nga qeveria do të lejojë vendosjen e masave si përdorimi i detyrueshëm i maskës dhe distancimi social deri në mars të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, disa qytete kanë anuluar festat e Krishtlindjeve edhe këtë vit. Masat kufizuese po zbatohen edhe në Europën Lindore, ku fushata e vaksinimit është e ulët për shkak të skepticzimit ndaj vaksinave.

Letonia, një nga vendet me më pak të vaksinuar në Europë, njoftoi një bllokim katër-javor në mes të tetorit. Qeveria çeke pritet të njoftojë të premten nëse do të vendosë masa të reja, me disa kufizime të rikthyera në Rusi dhe Sllovaki, raporton abcnews.al

” Vaksina nuk mjafton”

Virologët paralajmërojnë se vaksinat nuk janë një ilaç i mjaftueshëm për t’i dhënë fund krizës pandemike. Ekspertët që folën për Reuters përmendën Izraelin si shembullin më të mirë: përveç vaksinimeve, ai rivendosi përdorimin e detyrueshëm të maskës, kur rastet filluan të rriteshin përsëri në verë.

Disa ekspertë besojnë se është e nevojshme doza e tretë përforcuese. Sipas Michael Head i Universitetit të Southampton në Britani, shpërthimi i pandemisë gjatë javëve të fundit “ndoshta do ta detyrojë Europën të rishqyrtojë miratimin për dozat e treta”.

Eunews.al

Comments are closed.