×
Tuesday, July 23, 2024

EURO2024, nis sot Kampionati i 17-të Evropian i futbollit

June 14, 2024


 Sytë e botës së futbollit kthehen nga Mynihu, aty ku sonte në mbrëmje më në fund fillon Kampionati i 17-të Evropian i futbollit, me Gjermaninë mikpritëse që do të përballet me Skocinë në “Allianz Arena”. Ndër favoritët për të shkuar deri në fund, Gjermania duket se ka gjetur njëfarë stabiliteti nën drejtimin e trajnerit Julian Nagelsmann, pasi ka një ecuri të pamposhtur prej katër ndeshjesh.

Sfida hapëse, ajo ndërmjet Gjermanisë dhe Skocisë nis nga ora 21:00, ndërsa pjesë e këtij grupi janë edhe Zvicra dhe Hungaria. Kombëtarja kuqezi pritet të jetë një nga surprizat e këtij europiani, duke filluar me ndeshjen e saj të parë në Grupin B, të shtunën në orën 21:00 përballë Italisë, në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Sipas traditës do të zhvillohet edhe ceremonia e inaugurimit të turneut, e cila do të nisë në stadiumin e Bajernit të Mynihut, duke nisur nga ora 20:30.

Ceremonia e hapjes është planifikuar si një homazh për nder të Franc Bekenbauerit, kampionit gjerman i cili u nda nga jeta më 7 janar të këtij viti. Sipas “Bild”, Haidi Bekenbauer, e veja e legjendës së kombëtares gjermane dhe e Bajernit të Mynihut, do të sjellë trofeun e Kampionatit Europian 2024 në fushë, në mungesë të bashkëshortit të saj. Dhe i gjithë ky moment prekës, do të shoqërohet me një video festive me momentet më të bukura të karrierës së “Kaizerit”.

Si çdo ceremoni inaugurimi, edhe sot do të jenë notat muzikore që do të ngrenë peshë të pranishmit në stadium. Këtë privilegj këtë herë e ka treshja italiane e “Meduza”, këngëtari amerikan i grupit “One Republic” Rajan Teder dhe gjermanja Leoni. Kënga e tyre e titulluar “Zjarr”, u bë kolona zanore zyrtare e EURO2024 dhe doli për herë të parë më 13 maj.

Një muaj spektakël në fushë, për të udhëtuar më pas drejt Berlinit, ku gjithçka do të ulë siparin në finalen e 15 korrikut. Ceremonia përmbyllëse do të mbahet në “Olympiastadion” të kryeqytetit këtë herë dhe do të ketë sërish një performancë të “One Republic”, Leoni dhe “Meduza”, ata që krijuan himnin e turneut të 17-të europian.



Comments are closed.