×
Thursday, January 22, 2026

EURO2024, Asani: Ndaj Spanjës do të japim maksimumin, mund t’ia dalim

June 23, 2024


Anësori i sulmit kuqezi, Jasir Asani është shprehur optimist për sfidën ndaj Spanjës. Sipas tij, Shqipëria mund t’ia dalë të marri rezultat pozitiv.

Në një intervistë për UEFA-n, Asani i pyetur për rivalin e ardhshëm në grup, atë ndaj Spanjës, që do të luhet të hënën, tha se kuqezinjtë do të japin gjithçka në fushë, pasi tashmë s’kanë asgjë për të humbur.

“Kemi luajtur ndaj dy kundërshtarëve të fortë si Italia dhe Kroacia. Ata luajnë futboll të nivelit të lartë dhe Spanja ka gjithashtu talente të mëdha. Ne kemi mësuar shumë si një skuadër në EURO2024, pasi këto ndeshje janë ato që mund të na përmirësojnë si futbollistë”, u shpreh Asani.

“Ne e kemi analizuar Spanjën dhe i kemi studiuar. Nuk kemi asgjë për të humbur, ndaj do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të marrim tre pikët, edhe pse do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Nëse do të kemi pak fat, mund t’ia dalim”, u shpreh mëngjërashi kuqezi, duke bërë në fund dhe një batutë për këpucët e tij speciale me SuperMario.

“Dëshiroja të kisha një dizajn argëtues ndaj zgjodha SuperMarion. Ndoshta këpucët e mia janë më të famshme në EURO2024 se sa unë”, tha Asani.

Shqipëria po përgatitet për sfidën e fundit në grupin B, të Europianit “Gjermani 2024”. Sfida që pritet të nisi të hënën në ora 21:00, është vendimtare për kuqezinbjtë, të cilët në rast fitore do të mund të ishin për herë të parë në historinë e futbollit tonë, pjesë e turit të 1/16-ve të Evropianit.

Kuqezinjtë në dy ndeshjet e para kanë arritur të performojnë mjaft mirë, duke marrë një barazim ndaj Kroacisë, e cila në Botërorin e vitit 2022, në Katar, u radhit në vendin e tretë, duke eliminuar dhe Brazilin.

Ndërkohë, në ndeshjen e parë të luajtur në EURO2024, përballë Italisë, Shqipëria pësoi humbje 2-1. Grup B, kryesohet nga Spanja e kualifikuar tashmë me 6 pikë, Italia në vendin e dytë me 3 pikë, ndërsa Shqipëria është në vendin e tretë me 1 pikë, aq sa edhe Kroacia. Ndeshjet e fundit të grupit janë: Shqipëri-Spanjë dhe Itali-Kroaci, që do të luhen paralelisht të hënën, duke nisur nga ora 21:00.




Comments are closed.